E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA në rrezik zhvleftësimi prej agjencive të vlerësimit të bonitetit

Lufta politike për rritjen e tavanit të borxhit maksimal në SHBA po merr përmasa dramatike. Agjencia e vlerësimit të bonitetit Moody's kërcënoi me shfuqizimin e notës maksimale të bonitetit për SHBA-në. Për shkak të grindjes mbi buxhetin në SHBA, agjencia amerikane e vlerësimit të bonitetit Moody's, vë në pikëpyetje aftësinë kredituese të ekonomisë më të madhe në botë. Kjo sipërmarrje, sipas të dhënave të veta, është duke verifikuar mundësinë e heqjes së notës maksimale "AAA", për bonot e thesarit në SHBA. Agjencia Moody's jep si argument paaftësinë deri tani të presidentit Barack Obama, për të arritur një marrëveshje në grindjen mes demokratëve, nën drejtimin e tij dhe republikanëve në opozitë lidhur me rritjen e tavanit të borxhit maksimal nga 14,3 bilionë dollarë që është aktualisht - afërisht 10,1 bilionë euro. Bllokimi politik, sipas Moody's e shton rrezikun, që të mos mund të rritet kufiri maksimal i borxhit brenda afatit të duhur deri më 2 gusht. Kësisoj ka "një rrezik të vogël, por në rritje" për mungesë të përkohshme të aftësisë së pagesës të SHBA-së. "Një rënie e aftësisë së pagesës, pavarësisht se për sa kohë, do ta ndryshonte rrënjësisht vlerësimin e Moody's mbi përpikmërinë e pagesave të ardhshme", tërheq vëmendjen agjencia. Nota "AAA" nuk do të ishte e përshtatshme për një periudhë më të gjatë. Në mes të prillit, agjencia e SHBA për vlerësimin e bonitetit Standard & Poor's kërcënoi me shfuqizimin e vlerësimit maksimal për bonot e thesarit të SHBA-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›