E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolucioni teknologjik i policisë shqiptare



Dikur policisë shqiptare i duhej shumë punë, kohë e energji për të kryer detyrën në mbrojtje të qytetarëve të saj. Atëherë, për të gjetur të kërkuarit nga drejtësia, për të goditur krimin e organizuar dhe për të kontrolluar ruajtjen e kufijve kërkohej puna e shumë agjentëve, si dhe koordinimi i disa strukturave për të arritur rezultatin e dëshiruar.

Por tashmë, policia shqiptare ka një mënyrë të re, për të vepruar më me profesionalizëm e me saktësi në shërbim të vendit e shtetasve të saj. Nëpërmjet teknologjisë. Nëse më parë gjithçka zgjidhej nga “qenia njerëzore”, tani në ndihmë të saj do të jenë një sërë risish të reja, të cilat po e ndryshojnë policinë shqiptare në më profesionalen në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Brendshme është drejt përfundimit të një “reforme teknologjike”, ku synohet ruajta dhe kontrolli i kufijve, goditja ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës, por edhe kontrolli i brendshëm i territorit shqiptar. Dhe kjo, duke filluar që nga të dhënat për ekspertët e kriminalistikës ndaj shkelësve të ndryshëm e deri tek kontrolli i akseve rrugore dhe në qytetet e vendit, nëpërmjet radarëve.

Sipas ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, në një deklaratë të dhënë para pak kohësh në Qendrën e Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike, “Ministria e Brendshme po plotëson hap pas hapi të gjitha detyrimet e saj për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE-në. Në këtë kuadër po instalohen teknologjia dhe programet më të fundit për kufirin dhe Policinë Kriminale, të cilat komunikojnë online me Gjendjen Civile, duke i ofruar Shqipërisë sisteme të integruara nga më modernet në Evropë”.

Në ndihmë të punonjësve të policisë do të ketë kamera dhe aparatura kompjuterike që mundësojnë marrjen e çfarëdo lloj informacioni vetëm pak sekonda për çdo shtetas shqiptar në çdo pikë të hyrjes dhe daljes nga vendi, kompjutera me kapacitet të madh që luftojnë krimin kompjuterik, radarë dixhitalë që kontrollojnë çdo shkelje në rrugët e vendit, laptopë me sisteme të dhënash që kontrollojnë dhe japin çdo të dhënë për mjetet e vjedhura.

Para disa ditësh përfundoi instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar në të cilat funksionon edhe lidhja me bazën e të dhënave të Interpolit, ndërsa brenda 10 ditësh përfundon instalimi i sistemit Memex në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe dhe ndërkohë po punohet për ndërfaqjen e këtyre sistemeve me sistemet e tjera elektronike qeveritare siç është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

Në këtë mënyrë, çdo gjë është e kontrolluar, personat me precedentë penalë nuk mund të hyjnë apo të dalin lirisht, madje menjëherë arrihen të zbulohen edhe mjetet e vjedhura në shtetet evropiane, ndërkohë që goditet krimi i organizuar dhe kontrabanda. Kjo, pasi strukturat policore në kufi janë pajisur me kamera termike si edhe me mjetet e nevojshme për të lëvizur në terrenet e vështira, me qëllim goditjen e trafikantëve të lëndëve narkotike, sidomos në jug të vendit, por edhe në veri.

Por, me krijimin e epokës së re informatike, një problem shqetësues është edhe krimi kompjuterik. Vetëm para pak ditësh, Policia e Shtetit u pajis me aparaturat e nevojshme nga ambasada e SHBA-së për të luftuar këtë dukuri problematike.

Me përfundimin e vënies në funksionin të një sërë programesh për përpunimin e informacionit kriminal, kontrollin e kufirit, Policia e Shtetit është e aftë që të kontrollojë online gjithë territorin shqiptar. Tashmë, teknologjia është arma e re për të goditur krimin.

Ruajtja dhe kontrolli i kufijve

Një nga synimet kryesore të Ministrisë së Brendshme është ruajtja dhe kontrolli i kufijve. Kjo është edhe një nga detyrat që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë, për të bërë të mundur më pas liberalizimin e vizave brenda vitit 2010.

Që prej muajit shtator është përuruar qendra e vetme operacionale ku janë të integruara sistemi TIMS, sistemi i mbikëqyrjes së vendkalimeve kufitare nëpërmjet kamerave dhe sistemi i kontrollit detar, si dhe Memex, një sistem informacioni shumë modern për përpunimin e informacionit kriminal e sistemi Rims për financën e burimet njerëzore.

Kjo cilësohet si një nga elementet e rëndësishme të Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit. Kjo, pasi salla zotëron 24 orë në ditë të dhënat nga të 26 pikat kufitare të vendit. Sistemi TIMS do të ndërlidhet me Regjistrin e Gjendjes Civile, duke mundësuar shkarkimin e të dhënave të këtij regjistri për të gjithë shtetasit që posedojnë pasaporta biometrike dhe ato aktuale, me sistemin Memex të analizës së informacionit kriminal e po kështu me sistemin e kontrollit të kufirit detar. Në këtë mënyrë mundësohet që sallën qendrore operative të Policisë së Shtetit do të kryhet mbikëqyrja në kohë reale e të gjitha vendkalimeve kufitare nëpërmjet sistemit të kamerave e po kështu edhe kontrolli i kufirit detar nëpërmjet imazhit të përcjellë nga sistemi i kontrollit detar.

Ndërkohë, po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin “një ndalesë, një kontroll”, që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, e fitosanitar. Sistemi i ri do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve pasi përpunimi do bëhet në kohë reale, do të shmangë radhët e gjata në raste fluksi të emigrantëve, por edhe në rritjen e efikasitetit të luftës kundër trafiqeve dhe kontrabandës

Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj çështjen e kontrollit të kufirit e shikon “jo vetëm si aspekt shumë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare, por edhe si detyrim që vendi ynë ka në arenën ndërkombëtare për integrimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave, pasi 50% e pyetësorit janë detyrime të policisë dhe ne duhet të jemi pararoja në realizimin e këtij objektivi madhor”.

Kamerat termike në kufi

Një nga problemet kryesore të policisë është edhe lufta ndaj trafikut të lëndëve narkotike dhe kontrolli i “kufirit të gjelbër”. Policia Kufitare është pajisur me kamera termike, të cilat ndihmojnë efektivat në zbulimin e trafikantëve. Pritet që sërish policia të pajiset me kamera termike, automjete për zonat malore e motoçikleta. Trafikantët përgjithësisht shfrytëzojnë errësirën gjatë natës si edhe terrenin e vështirë për të kaluar lëndën narkotike në drejtim të Greqisë. Kamerat termike mundësojnë zbulimin e tyre.

Radarë dixhitalë për të kapur shkeljet e drejtuesve të mjeteve

Brenda pak ditësh pritet të përurohet njësia operacionale që do të merret me kontrollimin e automjeteve në zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në të gjithë territorin e vendit me qendër në Tiranë. Për të rregulluar trafikun dhe goditur shkelësit do të ketë radarë dixhitalë në kryqëzimet, rrugët e qyteteve dhe akset e rëndësishme.

Për të luftuar shkelësit, në ndihmë do të vijë teknologjia, e cila do të zëvendësojë punonjësit e Policisë Rrugore, të cilët do të vëzhgojnë gjithçka nga qendra e tyre në Tiranë.

Në rrugët urbane dhe interurbane më të dendura, do të ketë radarë dixhitalë, që do të kapin të gjitha shkeljet e kryera nga drejtuesit. Më pas, gjithçka e dokumentuar do t’i çohet drejtuesit të mjetit në shtëpi, së bashku me gjobën. Në këtë mënyrë do të penalizohen të gjithë shkelësit dhe do të ndërgjegjësohen drejtuesit e mjeteve, duke risjellë rregullin në kaosin e krijuar. Sistemi që pritet të vendoset së shpejti është nga më modernët në Evropë. Ky aplikohet në vendet e Evropës Perëndimore të tilla si Gjermania, Anglia e Franca. Kjo e bën vendin tonë të parin në rajon me këtë sistem të rreptë kontrollimi të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve.

Krimi Kompjuterik

Krimi kompjuterik është një nga dukuritë e reja shqetësuese në vend. Nisur nga kjo, para pak ditësh, policia shqiptare u pajis me kompjuterat dhe programet e sofistikuara që iu dhuruan nga ambasada e SHBA-së me qëllim përmirësimin e aftësive të seksionit të analizës ligjore të sektorit të Krimit Kompjuterik për të rikuperuar provat elektronike.

Kjo ndihmon në rritjen e kapaciteteve të policisë shqiptare në hetimet dhe ndjekjet penale moderne, veçanërisht ato që përfshijnë mashtrimin financiar, krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, krimin kompjuterik dhe shkeljet tatimore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›