E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH dhe Shqipëri, takim për AH1N1

Sot, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, do të takojë zëvendësdrejtorin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën. Takimi i tyre do të ketë si temë kryesore gripin e derrave, virusin AH1N1. Në takim do të evidentohen çështjet më të rëndësishme, masat e marra dhe të tjera, të cilat janë të shkruara në listë për javët e ardhshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë, nga ana tjetër, do të sjellë të gjitha direktivat e fundit lidhur me mbrojtjen ndaj virusit, por edhe përballimit të situatës në rast të një pandemie. Sakaq, në këtë takim do të diskutohet edhe për pjesën e vaksinave specifike të gripit të derrit, për të cilat vendi ynë për disa arsye, ende nuk e ka bërë porosinë e asnjë flakoni të vetëm. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se sot, në orën 13.00, do të zhvillohet ky takim i rëndësishëm për të diskutuar mbi situatën e virusit AH1N1 dhe masat që duhen marrë gjatë këtij sezoni.

Dje fqinjët tanë, Greqia dhe Maqedonia, kanë bërë deklarata të forta lidhur me situatën e të prekurve nga gripi i derrit, influencës AH1N1. Deri dje, në Greqi çdo një orë regjistrohej një pacient i dyshuar, ndërkohë që ekzaminimet specifike kryhen në të gjitha qendrat shëndetësore, ku paraqiten qytetarë me probleme të rënda respiratore dhe me temperaturë të lartë.

Por, edhe Maqedonia ka shfaqur të dhëna për prekjen e disa qytetarëve nga gripi i derrave. Gjasat janë që pandemia ka prekur edhe Maqedoninë, duke qenë se në kliniken e sëmundjeve infektive në Shkup regjistrohen çdo ditë të paktën 5 pacientë që kanë simptomat e virusit AH1N1.

Serbi, konfirmohen 68 raste

të prekura me AH1N1

Instituti serb për Imunologjinë dhe Virologjinë në Beograd konfirmoi dje se në Serbi janë konfirmuar deri tani 68 raste të prekura nga gripi i derrave. Instituti njoftoi se 40 nga personat e prekur nga sëmundja ishin kthyer kohët e fundit nga udhëtime në vende ku virusi AH1N1 ka prekur një numër të konsiderueshëm qytetarësh. Ndërkohë, 28 pacientët e tjerë janë infektuar nga kontakti me grupin e parë të të sëmurëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›