E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- Meta nisin sot negociatat për qeverinë

02/09/2009  Takimi sot në orën 18.30 në kryesinë e Kuvendit

Zbardhen detajet e takimit mes kryeministrit dhe kreut të LSI-së

Pritet të nisin sot negociatat mes Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Këtë gjë e konfirmoi dhe Kryeministri Berisha në një konferencë të dy ditëve më parë. Madje duket se data e takimit me Metën e ka kushtëzuar Berishën që të niset brenda ditës nga Polonia për të marrë pjesë në këtë takim Më pas, gjatë fundjavës Berisha do të vijojë takimet edhe me aleatët për të formatuar përfundimisht qeverinë e re.

Gjatë konferencës së para dy ditëve, kreu i qeverisë bëri të ditur se numri i ministrive nuk do të ndryshojë, sikurse edhe modeli i Këshillit të Ministrave, pavarësisht aleancave. Mbledhja e fundit e qeverisë aktuale pritet të mbahet ditën e nesërme dhe më pas takimi mes Metës dhe Berishës do t’i hapë rrugë krijimit të qeverisë së re me një koalicion të konfirmuar mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Burime nga LSI pohojnë se negociatat do të zhvillohen gjatë pasdites së nesërme në orën 18:30 minuta në selinë e kryesisë së Kuvendit.

Postet

Burime nga selitë e dy partive pohojnë se LSI-së do ti ofrohen 3 poste ministrore , ku më të përfolurat janë ai i Ekonomisë, Shëndetësisë dhe Ministria e Jashtme, si dhe disa poste zëvendësministrore. Emrat e ministrave që do të katapultohen në qeveri, do të jenë ata të Ilir Metës, i cili do të marrë ministrinë e jashtme, Dritan prifti që do të marrë Ministrinë e Ekonomisë, si dhe Petrit Vasili, që pritet të marrë Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkohë që nga ministrat aktualë pritet largimi i ministres Godo, ndërsa sa për Bashën dhe Rulin, mendohet se do ketë rotacion brenda kabinetit. Në komunikimin e tij për mediat, Kryeministri Sali Berisha tha se Kushtetuta garanton të drejtën e krijimit të qeverisë për partinë e parë që garanton shumicën dhe ky propozim mund të bëhet edhe në prag të mbledhjes së Parlamentit. “Kushtetuta parashikon afatin 10 ditor, si detyrim për Kryeministrin e ri për të paraqitur programin në Kuvend”, u shpreh Berisha. Gjithçka duket se tashmë është një formalitet për hir të një fjale të thënë se negociatat do të zhvillohen para publikut. Më tej Berishës i duhet të mendojë dhe për postet që do i japë dy aleatëve të tjerë, PR dhe PDI-së. Për të parin mendohet të jetë Ministria e Bujqësisë, ndërsa për të dytin Ministria e Mjedisit. Sa për aleatët e tjerë, pra ata që nuk kanë marrë deputetë në Kuvend, duhet të mjaftohen me postet e zëvendësministrave apo dhe me drejtorë drejtorish.

Ftesa e Berishës dhe përgjigja e Metës

Meta vendimin për aleancë më 4 korrik

Vendimin për të hyrë në qeverinë Berisha, Meta e mori më datë katër korrik, kur zgjedhjet e 28 qershorit sapo kishin përfunduar. Ky veprim i Metës u konsiderua si tradhti nga të majtët sidomos nga PS-ja, megjithëse përgjatë fushatës elektorale kishte krijuar përshtypjen se luftën e kishte më shumë me PS-në se sa me Partinë Demokratike. Postet që pritet të marrë LSI-ja kanë goxha peshë në kabinetin Berisha, gjë e cila justifikon dhe lëvizjen e Metës drejt qeverisë së djathtë. Por jo vetëm kaq. Postet do të shoqërohen dhe me një sërë drejtorish dhe zëvendësministrash, të cilat do bënin të mundur futjen në dikastere të një pjesë të mirë të anëtarësisë së kësaj partie, e cila ka gati gjashtë vjet në opozitë. Në lidhje me këtë çështje opinioni publik është ndarë më dysh. Disa e konsiderojnë si vetëvrasje politike të LSI-së, ndërsa pjesa tjetër si një lëvizje, e cila do e mbajë këtë forcë politike për shumë kohë në pushtet. Por gjithçka i mbetet kohës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›