E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH rrit gatishmërinë

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se epidemia e gripit të derrave, tashmë nuk është e mundur të mbahet nën kontroll.

Organizata e ka ngritur shkallën e gatishmërisë së saj në nivelin e tretë më të lartë. Kjo do të thotë se është hasur me raste ku virusi ka kaluar nga njeriu te njeriu.

Zyrtari i lartë i OBSH, Keiji Fukada tha se një epidemi në shkallë globale nuk ishte e pashmangshme dhe se qeveritë duhet të përqendroheshin në zbutjen e pasojave të kësaj sëmundjeje.

"Duke marrë parasysh situatën aktuale, fokusi i përpjekjeve tani duhet të jetë mbi përpjekjet për zbutjen e pasojave të kësaj sëmundjeve dhe jo mbi përpjekjet për ta mbajtur atë nën kontroll. Ky virus tashmë është përhapur shumë dhe në momentin kur po flasim, mbajtja e tij nën kontroll nuk është e mundur", tha Dr. Fukada. Megjithatë, ai tha se nuk kishte nevojë për masa të tilla si mbyllja e kufijve.

"OBSH nuk rekomandon mbylljen e kufijve apo kufizimin e udhëtimeve. Por, do të ishte e këshillueshme që personat e sëmurë ta shtyjnë udhëtimin, do të ishte gjithashtu e këshillueshme që personat që kthehen nga një udhëtim dhe që ndjehen të sëmurë, të kërkojnë ndihmë mjekësore", tha zyrtari i lartë i OBSH, Keiji Fukada.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe disa vende të tjera i kanë këshilluar shtetasit e tyre që të mos udhëtojnë në Meksikë, vendi i prekur më rëndë nga kjo sëmundje.
Autoritetet meksikane deklaruan se nga sëmundja e gripit të derrave derimë tani ka gjetur vdekjen rreth 150 vetë dhe afro njëmijë të tjerë që kanë shfaqur simptoma të saj, ndodhen për kurim në spital.

Bëhet e ditur se janë mbyllur shkollat në të gjithë Meksikën. Ndërsa hotelet po zbrazen për shkak se operatorët e turizmit po anulojnë udhëtimet në Meksikë.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar 45 raste të kësaj sëmundjeje, shumica në Nju Jork.

Spanja ishte vendi i parë evropian që konfirmoi një rast të sëmundjes së gripit të derrave.

Edhe autoritetet britanike kanë njoftuar për dy raste të kësaj sëmundjeje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›