E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR: Aktivitetet zyrtare po shfrytëzohen për fushatë

Misioni vëzhgues i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit publikoi dje raportin e dytë paraprak. Sipas dokumentit, fushata elektorale ka qenë e qetë dhe paqësore, me përjashtim të disa incidenteve të vogla. Konstatohet se një parti është çregjistruar nga pjesëmarrja në zgjedhje për shkak të dokumentacionit të falsifikuar. "Përpjekjet për t‘i siguruar çdo votuesi një kartë identiteti po vazhdojnë. Deri më 30 maj, vetëm personat që nuk dispononin një pasaportë janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhje", thotë raporti. Referuar Ministrisë së Brendshme, rreth 1.17 milionë aplikime janë kryer deri më 31 maj. Po sipas të dhënave që jep ministria për ODIHR-in, mësohet se në 31 maj kanë rezultuar 1172279 aplikime dhe janë prodhuar 1045910 karta. "Një total prej 1019910 kartash janë shpërndarë te stacionet e aplikimit dhe 652067 janë tërhequr nga qytetarët", thuhet në raport. Qeveria thotë se nga kategoria prej 730000 shtetasish pa pasaportë dhe në moshë votimi, kanë aplikuar 460000 deri më 29 maj. "Në këtë kategori votuesish të mundshëm, 160000-260000 mendohet se jetojnë jashtë vendit dhe janë pa pasaportë", shkruhet në raport, duke iu referuar një letre të zv.ministrit të Brendshëm drejtuar PS-së. ODIHR thotë se çështja e aplikimeve të kartave mbetet në qendër të replikave mes qeverisë dhe opozitës. "PS vazhdon të deklarojë se aplikimet po bëhen në mënyrë selektive. Ato po u jepen mbështetësve të PD-së, ashtu siç ka probleme me furnizimin me energji të linjave të aplikimit, apo mbulimin me internet. Kjo pretendohet se frenon procesin dhe dekurajon mbështetësit e Partisë Socialiste", thotë raporti. Vëzhguesit afatgjatë tregojnë se në disa raste jo të gjithë qytetarët kanë përfituar nga rimbursimi i kartave të identitetit. "Pavarësisht se vendimi ishte lëshuar nga qeveria, jo të gjitha stafet e zyrave postare ishin në dijeni (për shembull, në rajonet Elbasan dhe Korçë)", thotë raporti. Një tjetër shembull është refuzimi i kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit për disa aplikues (Dibër dhe Korçë). Vëzhguesit vunë në dukje edhe ndërprerje të energjisë, në veçanti në Elbasan, Përmet, Dibër dhe Korçë. "Më 28 maj, Ministria e Brendshme i dërgoi PS-së, prezencës së OSBE-së dhe misionit të ODIHR-it, të dhëna të pasakta lidhur me shtetasit pa pasaportë, krahasuar me ato të datës 26 maj. Kjo shërbeu si objekt debatesh mes qeverisë dhe Partisë Socialiste. Teksa ministria ia atribuoi këtë një gabimi teknik, Partia Socialiste e lidhi këtë me një skenar për manipulimin e rezultatit. Opozita, thuhet në raport, vazhdon të pretendojë se procesi nuk po ecën siç duhet, dhe më 1 qershor deklaroi se do të dorëzojë një padi kundër zyrtarëve të ministrisë, me pretendimin se kanë manipuluar të dhënat. ODIHR thotë se, dy javë para fillimit të fushatës, mediat transmetuan reklama politike në kundërshtim me rregullat ligjore. "Gjatë periudhës së raportimit, Kolegji Zgjedhor mori katër ankesa ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një vendim i KQZ-së u rikthye mbrapsht, një u la në fuqi dhe dy të tjerët do të shqyrtohen më 6 qershor", nënvizohet në raportin e dytë të ODIHR-it. Duke iu referuar fushatës së Partisë Demokratike, thuhet se Kryeministri Sali Berisha është fokusuar tek arritjet e qeverisë, konkretisht tek ato çka pretendohen në lidhje me zhvillimin e infrastrukturës, luftën ndaj korrupsionit, edukimin, reformën në taksa dhe promovimin e biznesit të vogël. Sakaq, Partia Socialiste, sipas raportit, vazhdon ta vërë theksin te puna e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës, duke premtuar të njëjtin ritëm ndryshimi në të gjithë vendin. Raporti përmend incidentet e lokalizuara në Kamzë dhe në Tiranë me posterat e G99-ës dhe PS-së. ODIHR vë re se të dyja kampet kryesore politike po përdorin aktivitetet zyrtare për qëllime të fushatës. Në këtë drejtim citohet një përurim i Kryeministrit në Shkodër, ku valëviteshin flamujt e PD-së dhe një aktivitet i Ramës në Tiranë, ku ai u bëri apel qytetarëve ta votonin në zgjedhje. ODIHR thotë se KQZ-ja vazhdon të jetë e ndarë në shqyrtimin e disa prej çështjeve të rëndësishme, ku bie në sy shumica (katër anëtarë) të propozuar nga mazhoranca dhe pakica (tre anëtarë) të propozuar nga opozita. "Disa prej çështjeve të debatuara janë miratuar me katër votat e shumicës", konstaton ODIHR-i. Megjithatë, vihet në dukje fakti se kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, po bën të pamundurën për të gjetur një zgjidhje sa më konsensuale. Raporti thotë se për fletët e votimit është rënë dakord të shtypen në Slloveni, nga një kompani e cila ka shtypur edhe herë tjetër fletëvotimet për zgjedhjet shqiptare. Teksa KQZ raporton se KZAZ-të funksionojnë normalisht, vëzhguesit e ODIHR-it kanë vënë re se në një pjesë të tyre takimet nuk bëhen rregullisht dhe një numër i vogël vazhdojnë të jenë të mbyllura. Teksa konstaton se lista e plotë dhe përfundimtare e zgjedhësve ka mbërritur në KQZ në datën 28 maj, ODIHR thotë se ka ende kategori zgjedhësish të caktuar që nuk e kanë mundësinë për votim, duke ju referuar kështu mungesës së qendrave të votimit në mjediset shëndetësore dhe spitale. Afati i fundit për të plotësuar edhe këtë element ka qenë data 7 qershor. "19 nga 59 KZAZ-të e kontaktuara më 30 maj kishin marrë tri kopje të listës përfundimtare të zgjedhësve", raportojnë vëzhguesit e ODIHR-it. Më tutje thuhet se lista përfundimtare e votuesve përmban 3084067 emra, 88313 më pak se sa në listën e mëparshme. "Kjo dëshmon se janë bërë përpjekje për të shmangur dublikimet e emrave në këtë listë", konstaton raporti. Duke ju referuar kartave të identitetit, thuhet se "PS shpreh shqetësim se zgjedhjet mund të delegjitimohen nëse një numër i caktuar zgjedhësish do të mbeten pa kartën e identitetit". ODIHR thotë se për aq kohë sa sistemi nuk lejon rrjetet e lëvizshme të aplikimit, disa qytetarë rrezikojnë të mbeten jashtë procesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›