E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers hedh poshtë pretendimet: Nuk ka një sondazh amerikan

Shefi i diplomacisë amerikane në Tiranë, Xhon Withers, dha dje leksionet e radhës për zgjedhjet e 28 qershorit. Standardet që duhet të plotësohen në këto zgjedhje dhe sondazhet e publikuara së fundi me financime të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë kryefjala e ligjëratës së ambasadorit amerikan në Shqipëri. Lidhur me standardet, kreu i diplomacisë amerikane në Tiranë e ka vendosur theksin te qytetarët, të cilëve u ka kërkuar të shkojnë të tërheqin kartat e identitetit, ndërsa për sondazhet, ambasadori Withers ka sqaruar se ato nuk janë sondazhe amerikane, por vetëm të financuara nga SHBA. "Në media kemi parë referenca për një sondazh amerikan. Unë mund t‘ju them se një gjë e tillë nuk ekziston. Qeveria amerikane ofron ndihmën e saj financiare për të bërë një sondazh shqiptar dhe jo amerikan", tha Withers, i cili shtoi se "qeveria e SHBA është e interesuar vetëm për sondazhin e 28 qershorit". Ambasadori amerikan ka sqaruar kështu pozicionin e tij në lidhje me një sondazh të publikuar një ditë më parë, ku Partia Demokratike dilte fituese. Withers deklaroi se ambasada financoi anketimin, por nuk është pjesë e rezultatit. "Sondazhi i 28 qershorit është i vetmi sondazh i qeverisë amerikane dhe atë do ta bëjnë vetë shqiptarët. Legjitimiteti i çdo rezultati të zgjedhjeve varet nga transparenca me të cilën kryhet", vijoi Withers. Ambasadori u bëri ftesë qytetarëve të shkojnë të marrin letërnjoftimet elektronike, pasi standardi dhe integriteti i vendit varet edhe nga ata. Për të dytën herë brenda pak ditëve, ambasadori amerikan Withers ka bërë thirrje që qytetarët të pajisen me karta identiteti për të votuar. "Zgjedhje të lira dhe të ndershme që plotësojnë standardet do thotë që Shqipëria po lëviz më pranë aleancës. Çdo gjë më pak se kaq do të ishte shenjë regresi", deklaroi Withers. Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërheqin vëmendjen e Shqipërisë lidhur me standardet që duhet të plotësojnë zgjedhjet e 28 qershorit. Withers nënvizoi se zgjedhjet e 28 qershorit përbëjnë gurin e një pikete shumë të rëndësishme për zhvillimin demokratik të Shqipërisë, zgjedhjet të lira e të ndershme që plotësojnë standardet ndërkombëtare do të tregojnë që Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plotë euroatlantik. Ambasadori Withers i ka ftuar politikën dhe qytetarët të bashkëpunojnë për të bërë zgjedhje me standarde, në të kundërt çdo incident i regjistruar në zgjedhje do të jetë regres për Shqipërinë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaroi se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit përbëjnë një shans të mirë për Shqipërinë për t‘u shkëputur nga e kaluara dhe për të konfirmuar progresin dhe forcimin e demokracisë së saj. Ndërkombëtarët cilësojnë si një prej elementeve kyç të një demokracie zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhjet shqiptare kanë pasur probleme në të kaluarën dhe tani në qershor, ekziston një shans i vërtetë për ta lënë gjithçka pas, për të pasur zgjedhje ku organizimi, administrimi, pjesëmarrja e njerëzve dhe shumë gjërave të tjera të jenë siç duhet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›