E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR: Kritika për qeverinë dhjetë ditë para zgjedhjeve

Misioni i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri publikoi dje raportin e tretë paraprak. Në përmbajtje të raportit monitorues, thuhet se fushata është shoqëruar me tensione në disa zona. "Një aktivist i Partisë Demokratike u vra nga një aktivist i Partisë Socialiste më 12 qershor, pas një konflikti për vendosjen e posterave, teksa dy palët bënë thirrje për qetësi", thuhet në raport. Qeveria, thotë ODIHR-i, vazhdon të përdorë aktivitetet zyrtare për qëllime të fushatës elektorale. Në disa raste, vëzhguesit afatgjatë kanë konfirmuar mbylljen e shkollave, me qëllim që nxënësit të marrin pjesë në mitingje. Sakaq, misioni vazhdon të marrë ankesa për presione ndaj punonjësve të administratës publike. Duke iu referuar Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, raporti thotë se me gjithë masat e ndërmarra ende një pjesë e tyre funksionojnë jo mbi baza të rregullta. Sa u takon Komisioneve të Qendrave të Votimit thuhet se kanë filluar të funksionojnë vetëm në një të tretën e zonave. ODIHR-i thotë se lista përfundimtare e zgjedhësve përmban 3 084 067 shtetas. "Partia Socialiste ka kontestuar publikisht saktësinë e listës, duke nënvizuar se vihen re disa tipa parregullsish", shkruhet në raport. Fushata e pajisjes së të gjithë shtetasve pa pasaportë me një kartë identiteti vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes publike. "Printimi i fletëve të votimit ka filluar më 8 qershor dhe ato pritet të mbërrijnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve fundjavën para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja ka njoftuar se do të shtypet një total prej 3 145 748 fletësh votimi", thotë raporti i ODIHR-it. Sa i takon listës së zgjedhësve konstatohet se në disa zona ka pasur vështirësi në publikimin e tyre. "PS-ja thotë se janë 5 186 emra të dubluar në listën e zgjedhësve; 516 prej tyre kanë lënë nënshtetësinë shqiptare; 2799 emra të tjerë u përkasin shtetasve që sipas të dhënave janë mbi 110 vjeç dhe 98 emra përmbajnë gabime në shkrim", thotë raporti. ODIHR-i thotë edhe pretendimin e gjendjes civile, se lista është e saktë dhe se sistemi pengon dublimin. Ndonëse kanë ndryshuar dy herë oraret e punës në zyrat e aplikimit për karta, ODIHR-i thotë se punonjësit jo gjithnjë janë në dijeni. Vëzhguesit e ODIHR-it raportuan se në Korçë ishte një rast i falsifikimit të një certifikate që do të përdorej si dokument identifikimi për aplikantin. "PS-ja thotë se rimbursimi për simpatizantët e saj që s‘kanë pasaporta nuk po funksionon, pasi një skemë e PD-së tenton t‘i dekurajojë ata. Të tilla probleme janë raportuar në Korçë dhe Vlorë", shkruan ODIHR. Vëzhguesit thonë se Ministria e Brendshme nuk e ka informuar që nga maji PS-në për numrin e votuesve pa pasaporta që kanë aplikuar për kartat. "Të dhënat e ministrisë thonë se janë 1 333 463 aplikime të mbërritura. Rezultojnë 1 218 393 karta identiteti të prodhuara, 892 778 janë tërhequr nga aplikantët. "Referuar të dhënave të Ministrisë së Brendshme, më 12 qershor, 1.33 milionë aplikime janë pranuar dhe 900 000 karta identiteti janë shpërndarë", thotë raporti. Socialistët, vijon raporti, pretendojnë për aplikime selektive në dëm të mbështetësve të tyre. Duke iu referuar Kodit Zgjedhor thuhet se partitë shpesh nuk i kanë njoftuar autoritetet lokale për vendin ku do i ngjisin posterat. Në këtë këndvështrim jepet rasti i LZHK-së në Shkodër, e cila, edhe pas një shkrese të posaçme, nuk arriti të merrte vesh ku duhej t‘i ngjiste posterat. ODIHR-i thekson dy raste konkrete në Tiranë, 3 dhe 7 qershor, kur u hoqën nga policia posterat e ngjitur nëpër mure. ODIHR-i konstaton se debati për kartat e identitetit vazhdon të mbajë në hije fushatën elektorale. "PS-ja e ka përqendruar fushatën te shqetësimi mbi deligjitimimin e zgjedhjeve, nëse të gjithë votuesit nuk do të pajisen me dokumentin e nevojshëm", thotë ODIHR. Aktivitetet zyrtare për inaugurime rrugës, thonë vëzhguesit, po shfrytëzohen sërish për fushatë. Për të ilustruar këto pretendime, ODIHR-i sjell në vëmendje inaugurimet në Elbasan dhe Fier ku mbizotëronin flamujt e Partisë Demokratike. "Fjalimet e Kryeministrit ishin me karakter fushate. Shkollat në Korçë u mbyllën për të marrë pjesë nxënësit në mitingun e Jozefina Topallit", shkruan ODIHR. Vëzhguesit konstatojnë problemet e shumta dhe vonesat e dorëzimit të emrave prej partive që kanë të drejtë të propozojnë anëtarët e KQV-ve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›