ODIHR: Qeveria po përdor fëmijët në fushatë dhe po bën presion ndaj administratësNga TemaMazhoranca po përdor administratën dhe fëmijët në fushatë elektorale. Raporti i tretë i Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR ngre këtë shqetësim, të përsëritur s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
ODIHR: Qeveria po përdor fëmijët në fushatë dhe po bën presion ndaj administratësNga TemaMazhoranca po përdor administratën dhe fëmijët në fushatë elektorale. Raporti i tretë i Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR ngre këtë shqetësim, të përsëritur shpesh nga mediet.
Sipas ODIHR, qeveria po përdor aktivitetet zyrtare për fushatë, po mbyll shkollat për të mbledhur fëmijë në mitingje e po bën presion ndaj mbështetësve të PS.
“Qeveria ka vazhduar të përdorë aktivitetet zyrtare në funksion të fushatës. Inaugurime të infrastrukturës nga zyrtarë të lartë të qeverisë janë kryer më shpesh seç ndodh jashtë periudhës së fushatës. Për shembull, në inaugurimin nga ana e kryeministrit të një parku hidroenergjitik pranë Elbasanit më 8 qershor dhe një rruge në afërsi të Fierit më 10 qershor ishin të pranishme turma të mëdha njerëzish që valëvisnin flamuj të PD. Fjalimet e kryeministrit kishin karakteristikat e fjalimeve të fushatës.
Shkollat u mbyllën që nxënësit të merrnin pjesë në këto aktivitete. Shkollat u mbyllën edhe për një miting që po zhvillohej në zonën e Korçës dhe ku merrte pjesë kryetarja e parlamentit dhe zv/kryetarja e PD, Jozefina Topalli”, - thuhet në raportin e ODIHR.
“OSBE/ODIHR vazhdojnë t’i vijnë aludime për ushtrim presioni ndaj punonjësve të sektorit publik. Në një incident të verifikuar si të besueshëm, më 9 qershor punonjësve të Bashkisë së Peqinit (qarku i Elbasanit) iu kërkua nga shefat e tyre të merrnin pjesë në një miting të PD. Gjatë ditës, bashkia e ndërpreu punën; vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR u informuan se punonjësit e bashkisë ishte të zënë me përgatitjet për mitingun.
Në një rast presioni, në Gjirokastër, pronari i një pike karburanti, i cili u gjobit se shiste karburant me cilësi poshtë normave të lejuara, u tha vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR se një inspektor e kishte paralajmëruar që ta ndërpriste veprimtarinë e tij në favor të PS”, - vijon më tej raporti.
ODIHR vëren se janë rritur tensionet mes palëve dhe ka përmendur disa nga incidentet kryesore, përfshi këtu vrasjen e një aktivisti të PD.
“Me shtimin e veprimtarive të fushatës, ka pasur edhe një rritje tensioni në disa zona. Mosmarrëveshje ka pasur në mënyrë të veçantë për vendosjen e posterave dhe parullave. Sipas Nenit 79 të Kodit Zgjedhor dhe Udhëzimit Nr. 14 të KQZ, autoritetet lokale duhet të caktojnë hapësira publike për vendosjen e posterave politikë dhe të njoftojnë për këtë subjektet zgjedhore përkatëse. Megjithatë, në shumë raste, partitë nuk janë informuar për hapësirat që u janë caktuar”, - thuhet në raport.
Listat e votuesve dhe kartat e identitetit
Në raport shprehet shqetësim në lidhje me listat e zgjedhësve dhe pajisjen e qytetarëve me karta identiteti.
“Pas marrjes së versionit elektronik të LPZ, Partia Socialiste kontestoi cilësinë e listave. PS gjeti 5.186 raste, të cilat bënin pjesë në kategorinë e regjistrimeve të shumëfishta; 516 emra njerëzish, të cilët, ose e kishin lënë vetë, ose u ishte hequr nënshtetësia shqiptare; 2,799 emra njerëzish, të cilët, sipas regjistrave, janë më shumë se 110 vjeç; dhe 98 raste me gabime ortografike, të cilat i bëjnë emrat e zgjedhësve të palexueshëm dhe, si rrjedhojë, ka mundësi edhe të humbasin të drejtën e votës. Drejtori i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC) konfirmoi se këto shifra ishin të sakta. Megjithatë, Ligji për Gjendjen Civile ndalon fshirjen e emrave të njerëzve nga regjistri, nëse nuk raportohet vdekja e tyre. Po ashtu, programi kompjuterik që përdoret për mirëmbajtjen e regjistrit nuk lejon shkrirjen e më shumë se dy rasteve në një emër të vetëm, gjë që për momentin e bën të pamundur shkrirjen dhe vendosjen në një të rasteve të shumëfishta. Edhe pse politikanët janë shprehur publikisht se në listën e zgjedhësve gjenden dhjetëra mijëra pasaktësi, këto deklarata nuk duket të mbështeten nga numri i kufizuar i rasteve të raportuara”, - thuhet në raport.
“Sipas informacionit të marrë nga MB deri më 12 qershor janë bërë 1,333,463 aplikime. Nga
1,218,393 karta identiteti të prodhuara, 892,778 janë tërhequr nga aplikuesit. Megjithëse gjatë periudhës 6-13 qershor numri mesatar ditor i tërheqjes së kartave të identitetit është rritur deri në afërsisht 22,000 dhe e tejkalon ndjeshëm numrin mesatar të aplikimeve (rreth 12,500), ky numër është ende më i ulët se numri mesatar ditor që do të duhet të arrihej, me qëllim që të gjithë zgjedhësit pa pasaportë të mund t’i marrin kartat para ditës së zgjedhjeve. Për të përshpejtuar procesin, Ministria e Brendshme ka filluar një fushatë në media, duke këshilluar aplikuesit të tërheqin kartat e identitetit sa më shpejt të jetë e mundur.”
Përmbledhja e raportit
- Veprimtaritë e fushatës zgjedhore kanë vazhduar të zhvillohen gjatë periudhës së raportimit. Megjithëse situata ka vazhduar të jetë përgjithësisht e qetë, në disa zona ka pasur rritje të tensionit. Mosmarrëveshje ka pasur në mënyrë të veçantë për vendosjen e posterave dhe parullave, si dhe çadrave e tendave të fushatës. Një aktivist i Partisë Demokratike (PD) u vra nga një aktivist i Partisë Socialiste (PS) më 12 qershor gjatë një debati për vendosjen e posterave; të dy krahët bënë thirrje për qetësi.
- Qeveria ka vazhduar të përdorë aktivitetet zyrtare në funksion të fushatës. Në disa raste të konfirmuara nga vëzhguesit afatgjatë të Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, shkollat u mbyllën që nxënësit të merrnin pjesë në këto aktivitete. MVZ të OSBE/ODIHR vazhdojnë t’i vijnë aludime se mbi punonjësit e sektorit publik po ushtrohet presion.
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar shumicën e procedurave dhe vendimeve të nevojshme për zhvillimin e votimeve dhe numërimin. Megjithatë, shumë Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nuk po mblidhen ende, ose nuk po mblidhen rregullisht. Caktimi i Komisioneve të Qendrave të Votimit (KQV) është përfunduar në vetëm një të tretën e Zonave të Administrimit Zgjedhor, pasi asnjëra nga katër partitë që duhet të propozojnë anëtarët e KQV nuk i ka dorëzuar emrat për të gjitha pozicionet.
- Lista Përfundimtare e Zgjedhësve përmban 3,084,067 qytetarë. PS e ka kontestuar publikisht saktësinë e Listës Përfundimtare të Zgjedhësve, duke thënë se në të ka gabime të llojeve të ndryshme.
- Procesi i pajisjes së çdo votuesi pa pasaportë të vlefshme me kartë identiteti vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike. Sipas informacionit të Ministrisë së Brendshme (MB), deri më 12 qershor u bënë 1.33 milionë aplikime dhe u morën nga qytetarët gati 900,000 karta identiteti. MVZ të OSBE/ODIHR vazhdojnë t’iu raportohen probleme teknike dhe organizative. PS pretendon se procesi i aplikimit po bëhet në mënyrë selektive, si dhe për pagesa për të marrë kartat e identitetit, në dëm të mbështetësve të saj.
- Monitorimi i medieve nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR ka treguar se dy nga pesë kanalet e monitoruara u kushtuan PD dhe PS sasi pak a shumë të barabarta kohe televizive. Megjithatë, këta operatorë, bashkë me të tjerët vazhduan të tregojnë anshmëri në aspektin e cilësisë (tonit) të pasqyrimit.
- Anëtarët e Bordit të Monitorimit të Medias, të caktuar nga KQZ, kanë shprehur pikëpamje të ndryshme në lidhje me përkufizimin e veprimtarive të qeverisë dhe atyre të fushatës zgjedhore, që sipas Kodit Zgjedhor duhet të llogariten bashkë me kohën e caktuar për partinë politike përkatëse.
- Gjatë periudhës së raportimit, Kolegji Zgjedhor shqyrtoi ankesat ndaj dy vendimeve të KQZ. Një kërkesë e PS për të rrëzuar një vendim të KQZ që miratonte listat e kandidatëve të Partisë Agrare Ambientaliste u hodh poshtë. Kolegji Zgjedhor rrëzoi pjesërisht një tjetër vendim të KQZ, i cili përcaktonte partitë që do të mund të merrnin pjesë në hedhjen e shortit për të caktuar anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave.