Ringjallja e PS-së dhe së majtës
Moikom Zeqo
Eshtë një çështje jetike e ditës dhe e së ardhmes ringjallja konceptuale e PS-së dhe së majtës shqiptare. Nuk është trill, as rastësi, por një grishje publike, ndershmërisht dhe intelektualisht, për të vërtetën, për një hapje dhe një fuqizim të saj dhe jo për një mbyllje dhe një bunkerizim të saj. Në këtë rrafsh kuptimor e vërteta emancipon, përtej çdo debati shterp dhe alibik. Kriza e personaliteteve të vërteta në PS, ka bërë që disa nga figurat politike të saj, të bëra të njohura nga alkimia mediatike, por pa substancë, pa mendim, pa ide, të mos u dhimbset PS-ja, por vetvetja ... dhe statusi klanor. Në këtë optikë, e ardhmja personale e Edi Ramës nuk është PS-ja, e ardhmja e PS-së është vetë PS-ja e emancipuar me guxim dhe me revizionarizëm. Ky është thelbi. Nuk i shmangemi dot, absolutisht, askush. Kriza e PS-së është kriza e dyfishtë e së majtës demokratike shqiptare, refleksi i krizës të së majtës evropiane që duhet studiuar me gjakftohtësi. Është kriza e diletantizmit politik, e politikës provinciale, me një kostumologji virtuale sloganesh, që na kujton përrallën e Andersenit.
Mendoj se emancipimi i të majtës është shumëfish ndikuese edhe për emancipimin e së djathtës dhe të krejt shoqërisë shqiptare. Nuk ka emancipim pa të majtën. Vetëkuptohet rëndësia kolosale.
Filozofja e madhe e politikës, Hana Arend, ka thënë: “Jo politikanizimi i juridikes, por juridiciteti i politikës”, një formulë emblematike, e patjetërsueshme në demokraci. Shkenca e politikës duhet mësuar. Vonesa jonë është gati groteske. Nuk ka politikë të vjetër ose të re. Ka ose politikë të vërtetë institucionale, ose politikë diletante provinciale.
Politika e re është një slogan pa kuptim, me shkëputje mekanike, metafizike, duke nënkuptuar një njeri të ri, apo lider të ri, me rol mesianik, siç e ka qartësuar Maks Veber. Ky slogan të çon tek një shëmbëlltyrë revolucionare komsomolasi.
Politika për ndryshim është demokratike, paralufton reformat në progres pozitiv. Slogani “Përtej të majtës dhe të djathtës” është virtual qoftë për të majtën, qoftë për të djathtën. Krijon iluzionin absurd të “vdekjes së politikës”, madje të mosekzistencës së partive të majta dhe të djathta, ose të vetë zgjedhjeve elektorale, politike, dhe të vetë institucionit të parlamentit. Ky qe, e them me trishtim të madh, diletantizmi politik i Edi Ramës, shansi i tij i humbur eksperimental.
Slogani “Votoni Edi Ramën dhe PS”, ishte i mangët juridikisht, vetë Rama nuk zgjidhej deputet, por thirrja ishte të votohej ai. Po si mund të votohet një njeri që nuk është në listë? Ky është një surealizëm logjik dhe linguistik, kuptohet dhe politik.
PS-ja duhet të rindërtojë konceptualisht kauzën e saj. Emri i një njeriu nuk është kauza, por deformimi i saj. Rama e bëri PS-në dhe Shqipërinë skenën e spektaklit dhe të vetvetes. Pyes: ku është kauza? Rama nuk është kauza. Kauza e PS-së është e majta demokratike. PS-ja ende nuk e ka një program politik të artikuluar si kauzë, të lidhur me realitetin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Vetëm kauza i bashkon njerëzit. Nuk është kryetari që krijon një parti. Nuk është kryetari që formëson sipas profilit të tij një parti, por është profili ideor i një partie që i funksionalizon kryetarët me mandat. Kryetarët lëvizin, partia mbijeton. Ky është ligji i demokracisë.
PS-ja i humbi zgjedhjet politike. Standardet e zgjedhjeve patën probleme, por rezultati juridik i zgjedhjeve nuk ndryshohet me retorikë. Të humbësh zgjedhjet nuk është fatalitet. Fatalitet është moskuptimi, mungesa e përgjegjësisë kolektive dhe individuale, alibia.
140 deputetë kanë tashmë mandate legale individuale, ata quhen deputetë të popullit, pavarësisht tagrës partiake. Pyes: cilët janë instrumentet juridikë për t’i kontestuar dhe skualifikuar mandatet individualë të maxhorancës? Çdo komision parlamentar për hetim nuk ka fuqi ligjore para Kolegjit Zgjedhor që është subjekt kushtetues. Si mund të bëhet ndryshimi tre muaj mbas zgjedhjeve? Si mund të arrihet tek thënia që “mund të ndryshojmë rezultatin”? Nuk di a ka juristë gjakftohtë në PS për të formuluar kërkesa të arritshme juridike. Deputetët janë ligjvënës dhe parlamenti është formuluesi i ligjeve në rrafshin kushtetues. Si mund të lëvizen raportet kushtetuese në këtë rast? A nuk është diletantizëm të mos e konceptosh këtë gjë?
Problematika e standardeve të zgjedhjeve artikulohet jo me bojkot, as me kërkesa të paformuluara juridikisht - e theksoj juridikisht.
Po absurdi vazhdon; Rama humbet mandatin e kryetarit, pra pohon humbjen e zgjedhjeve dhe mban një titull si mandat virtual “të kryetarit në detyrë”. Kushtetuta e thotë statusin juridik të përkohshëm të një kryeministri në detyrë për karakterin vertikal të administratës, por në asnjë tekst ligjor nuk thuhet asgjë për gjoja kryetarin në detyrë të një partie me një barazi horizontale me të tjerët. Rama në mungesë pariteti juridik konkurron me Maqo Lakrorin, i cili në të vërtetë ka një program pozitiv, serioz dhe të majtë. Kjo nuk shkon, është gjithashtu një spektakël, aq më tepër që Rama mesa duket do ta fitojë mandatin 4-vjeçar, duke krijuar një nonsens juridik me mandatet e barazvlefshme kohore të institucioneve të partisë.
Diskutimi qoftë dhe publik për PS-ë nuk është përçarje. Apelacionet, përçarje, armik, tradhtar, janë me konotacione nga e kaluara totalitariste. Ky diskutim është një modus vivendi për të arritur tek e vërteta, që vendos unitetin, për të mos qenë një modus moriendi.
Ringjallja konceptuale e së majtës dhe e PS-së do të ndryshojë më në fund tranzicionin, për një qeverisje ndryshe nga e djathta, për standarde më të vërteta dhe demokratike të zgjedhjeve, për një klasë politike ndryshe, qoftë e djathtë apo e majtë, pa këtë varfërim dhe mjerim intelektual që zotëron gjithçka, pa këtë diletantizëm dhe provincionalizëm politik, ku personalja deformon institucionalen.
E vërteta nuk ka nevojë për monopolizim, nuk është personale, por substancialisht e të gjithëve. Është dituri e vështirë. Është kulturë e lartë, shpëtimtare.
Opozita është provë politike, juridike dhe qytetërimi. Është shumë herë më e rëndësishme se edhe vetë pushteti, administrata dhe rotacionet e qeverisjes - edhe ky mendim është i Hana Arendit- është opozita që projekton dhe rikonstrukton pafundësisht të ardhmen, që kërkon lëvizjen kundrejt çdo konservatorizmi administrativ.
Deputetë socialistë, mos u plogështoni! Nëse doni pushtetin e së majtës, luftoni! Nëse nuk e doni, braktiseni! Nuk ka dilemë hamletiane.
Ka tre muaj që opozita e PS-së nuk e ka kuptuar që është opozitë institucionale, madje e vetmja, kombëtare.
Pyes: kush i vodhi këto tre muaj? Të vjedhësh opozitën është përkthimi i bojkotit.
Dëshironi ju, opozitarë, me mandat ligjor, të na vidhni dhe muaj të tjerë opozite, sipas sloganit sërish diletant “raport i kushtëzuar me parlamentin”, por kuptohet pa qenë në parlament, kur vetë politika aktive argumentuese profesionale është kushtëzimi më i madh. Pse politika është një kushtëzim pa fund, secila parti kërkon pushtetin, asnjë parti në botë nuk përdor sloganin “raport i kushtëzuar”, pra në mënyrë pjesore, kushtëzimi është tërësor, i drejtpërdrejtë, dhe jo një kërcim në boshllëk. PS-ja dhe e majta shqiptare ka njerëz të mrekullueshëm dhe të vërtetë.
Ata janë ringjallja dhe identiteti i patjetërsueshëm i saj.
Sot nuk ka nevojë për kukulla të urdhëruara, por për ide të gjalla, për kriticizëm konstruktiv.
Kurrë opozita s’ka patur kaq deputetë, të cilët mund të luftojnë shkëlqyeshëm, me bojkotin mund të humbet shansi për t’i kthyer zgjedhjet vendore edhe në zgjedhje të parakohshme politike.
E them publikisht se unë nuk jam as kundërshtar, as armik personal i Edi Ramës, madje e çmoj vullnetin e tij dhe energjinë, por jam kundër ideve të padrejta dhe të mjegulluara. Ne luftojmë me ide. Kush vallë do të na luftojë si njerëz? Iku koha e klasifikimeve in-extremis të atyre që mendojnë ndryshe. Çfarë fitohet nga përjashtimi i të tjerëve?
Pse nuk bëhet një konventë e PS-së për një debat të vërtetë për të pranuar kritikat e sakta dhe për të ndryshuar siç duhet? Çfarë e pengon Ramën ta bëjë këtë gjë?
Kultura e tolerancës është kulturë demokratike. Mostoleranca është kulturë totalitare.
Kam besim se e vërteta do të triumfojë, ndonëse nuk jam naiv se kjo do të jetë një gjë e lehtë dhe komode.
Kam besim që emancipimi i së majtës është dhe thelbi i emancipimit të krejt shoqërisë shqiptare.
Por emancipimi kërkon kulturë të lartë, dialog institucional dhe jo përbuzje pezhorative, jo mbyllje brenda administratës partiake, por hapje publike dhe afirmim të ideve të vërteta.