ODIHR: Zgjedhjet e 28 qershorit po pergatiten si duhet. Ende pa karta identiteti mbeten vetem 220 mije shtetas

OSBE-ODIHR ka nxjerrë raportin e parë monitorues lidhur me procesin zgjedhor të 28 qershorit. Raporti e vlerëson hapësirën ligjore që u siguron grave një pjesëmarrje shumë më të gjerë nga deri tani në jetën politike të vendit, ndërkohë që thekson se janë të gjitha gjasat për mbylljen në kohë të procesit për pajisjen me letërnjoftime, të të gjithë shtetasve që nuk posedojnë një pasaportë të vlefshme
“Shqipëria ka marrë një numër masash të vlerësueshme për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe funksional të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit”. Është ky vlerësimi i raportit të parë paraprak të vëzhgimit të situatës parazgjedhore dhe masave për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme, i publikuar dje nga Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (MVY) në Shqipëri i OSBE/ODIHR-it (Organizatës për Sigurim e Bashkëpunim Evropian). MVZ e hapi zyrën e saj në Tiranë në 8 maj, me një skuadër prej 14 anëtarësh bazë dhe 26 vëzhguesish afatgjatë, nga 20 vende anëtare të OSBE-së, të cilët janë shpërndarë në 12 pika në të gjithë vendin. Raporti i publikuar sot është përgatitur gjatë periudhës 8-21 maj. Sipas këtij raporti, Shqipëria ka marrë një numër masash të vlerësueshme për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe funksional të zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat u thirrën nga presidenti i vendit më 28 qershor me një dekret të lëshuar më 14 janar të këtij viti. Këtë dekretim e parapriu një reformë e thellë në legjislacionit mbi zgjedhjet, i cili kulmoi me miratimin e “një Kodi të ri Zgjedhor të rishikuar e thellësisht të përmirësuar” në dhjetor 2008, thotë raporti paraprak. Raporti vë në dukje se në zgjedhje do të marrin pjesë 36 parti politike, 33 prej të cilave të grupuara në 4 koalicione të ndryshme zgjedhore, pa harruar të përmendë regjistrimin në këto zgjedhje të dy kandidatëve të pavarur. Me gjithë këtë pjesëmarrje, raporti e cilëson mjedisin politik paraelektoral si “gjerësisht të polarizuar mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste”. Aty vihet në dukje se, edhe pse fushata zgjedhore çelet më 29 maj, një pjesë e partive “po zhvillojnë aktivisht aktivitete zgjedhore, të cilat Kodi Zgjedhor nuk i ndalon”. Raporti evidenton strukturën 3-shkallësh të administrimit të votimeve, të drejtuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbërja aktuale e të cilit mori formë në shkurt të këtij viti. Ky komision është përgjegjës për krijimin e 66 Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve si dhe të 4800 Komisioneve të Qendrave të Votimit. Numërimi i votave, siç thuhet në raport, do të kryhet në mënyrë të përqendruar në 66 qendra numërimi votash, pranë KZAZ-ve. Funksionimi i procesit të ankimimit sa i takon vendimeve të marra nga ana e KQZ-së paraqitet normal, sipas raportit të publikuar sot. Aty përmenden dy raste ankimesh që janë paraqitur në Kolegjin Elektoral të Gjykatës së Apelit në Tiranë, ankime që janë rrëzuar nga ky Kolegj për mungesë baze ligjore. Këto zgjedhje, vihet në dukje në raportin paraprak, janë në vëmendjen e një numri të konsiderueshëm mediash të vendit, të cilat “konsiderohen si pluraliste, por jo të pavarura nga ndikimet politike”. Ai thekson se Kodi Elektoral është i qartë në përcaktimet e rregullave për mbulimin e fushatës nga ana e mediave, dhe në përcaktimin e kohës televizive në radiotelevizionin publik, si dhe të reklamave të paguara. Raporti e vlerëson hapësirën ligjore që u siguron grave një pjesëmarrje shumë më të gjerë nga deri tani në jetën politike të vendit. Kodi Zgjedhor garanton pjesëmarrjen e çdo gjinie në një minimum përfaqësimi prej 30 për qind në këto zgjedhje, duke bërë që numri i grave që do të zgjidhen si përfaqësuese në Kuvend të jetë minimalisht 30 për qind, nga 7 për qind që është në parlamentin aktual. Nga ana tjetër, raporti vlerëson se minoriteteve - me Kushtetutë - u garantohen të gjitha të drejtat në Shqipëri, përfshi atë të përfaqësimit politik në parlament. Raporti vlerëson se listat e votuesve, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, këtë herë do të nxirren nga baza elektronike e të dhënave të Regjistrit Civil Kombëtar, i përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile e Ministrisë së Brendshme. Numri i votuesve në shkallë vendi arrin në 3.1 milion. 354 mijë prej votuesve që dikur s'kishin pasaportë të vlefshme kanë aplikuar tashmë për kartat e identitetit; vlerësohet në raport, ne te cilin per here te pare pranohet se pritet qe edhe 220 mijë veta te aplikojne per marrjen e tyre, sepse per te tjeret, raportimet flasin se ndodhen jashtë vendit, për arsye te ndryshme. Megjithatë, nënvizohet se kjo “mbetet çështja më e diskutueshme në procesin zgjedhor”, duke iu referuar ankimeve të përfaqësuesve të opozitës pranë këtij Misioni për ngadalësinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta. Nga ana tjetër, raporti cilëson “besimin e qeverisë për mundësinë e pajisjes së të gjithë votuesve që nuk kanë pasaportë me karta identiteti”. Që të votojnë qytetarët duhet të paraqesin një kartë identiteti ose pasaportë të vlefshme. Mungesa e dokumenteve të besueshme në të kaluarën ka qenë burim shqetësimi dhe debati në zgjedhjet e kaluara. Ishte kjo arsyeja që qeveria ndërmori nismën për krijimin e regjistrit elektronik të qytetarëve dhe pajisjen e tyre me karta elektronike identiteti, si dhe me pasaporta të reja biometrike, të cilat ofrojnë një shkallë sigurie nga më të lartat aktualisht në Evropë, një proces që po ecën me ritme gjithnjë e më të larta. Ky është raporti i parë paraprak i këtij misioni dhe pritet që në ditët në vijim të pasohet edhe nga raporte të tjera, para përgatitjes së raportit përfundimtar, i cili do të publikohet pas realizimit të zgjedhjeve të përgjithshme. Zgjedhjet në Shqipëri, një vend anëtar i OSBE-së, monitorohen prej kësaj organizate nga viti 1992. Edhe për zgjedhjet e 28 qershorit, qeveria shqiptare pak muaj më parë i bëri një ftesë të hapur organizatës për të dërguar sa më shumë vëzhgues, në mënyrë që të verifikojnë dhe certifikojnë rregullsinë e zgjedhjeve si pjesë e reformave dhe angazhimeve që ka marrë Shqipëria në rrugën e anëtarësimit të saj të plotë në Bashkimin Evropian.
...