ODIHR, kundër skenarëve destruktive të Ramës
“Ka ende kohë që të gjithë ata që duan të votojnë të pajisen më karta identiteti”
Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it e sheh me rezerva skenarin e Partisë Socialiste për shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare. Drejtuesja e misionit vëzhgues, Audrey Glover, insistoi edhe dje gjatë një interviste televizive se ka ende kohë që qytetarët që duan të votojnë të pajisen më karta identiteti dhe se për momentin nuk duhet menduar për asgjë tjetër.
“Nuk besoj se ka përfunduar koha për pajisjen e qytetareve me karta. Ka ende kohe qe qytetaret me te drejte vote te marrin kartat për te cilat kane bere aplikimin ose te aplikojnë. Por dua te theksoj edhe njëherë se është shumë e rëndësishme qe çdo qytetar me te drejtën e votës te ketë mundësinë të votojë”, deklaroi Glover e pyetur mbi këtë çështje.
Glover ndërkaq apeloi ndaj gjithë aktorëve dhe faktorëve që ky proces të ecë me ritmet e duhura.
“Na vjen mirë që shohim se Kodi i ri Zgjedhor parashikon një sistem regjistrimi të bazuar mbi regjistra civile kombëtarë të kompjuterizuar dhe të modernizuar. E kuptojmë që çështja e kartave të identitetit është një çështje shumë e debatueshme mes partive. është shumë e rëndësishme që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që qytetarët me të drejtën e votës dhe pa dokumente te tjera te posaçme të pajisen me karta identiteti para 28 qershorit. Kjo ka rëndësi të padiskutueshme. Është përgjegjësi e qeverisë, po si me të gjitha politikat, aplikimi dhe shpërndarja e kartave te identitetit ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve dhe gjithë partive politike”, u shpreh ambasadorja e ODIHR-it duke theksuar se është shumë herët të bëhet një vlerësim i të gjithë procesit.
...