Shqipëria nuk do tolerojë kërkesat e Edvinit, që si një Enver i dytë, po lidhet pas kolltukut
Kryeministri Sali Berisha i ka mbyllur rrugën çfarëdolloj dialogu politik që do të sillte një shtyrje të datës së zgjedhjeve. Procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit nuk mund të njolloset nga Edi Rama, i cili është i tmerruar nga fundi i manipulimeve me çertifikatat, çka do të sjellë edhe fundin e tij politik. Shefi i qeverisë vlerësoi procesin dhe garantoi se vendi do të ketë standardet më të larta të realizimit të një procesi zgjedhor
Tam-tameve të alarmit të Partisë Socialiste lidhur me procesin e kartave të identitetit, proçes i cili po shkon drejt finalizimit, u është kundërpërgjigjur dje kryeministri Sali Berisha, duke deklaruar se e gjithë zhumra e ka zanafillën tek planet famëkëqija të Edvinit, për të mos u shkëputur nga çertifikatat, si e vetmja metodë për të mbajtur karrigen e pushtetit përmes manipulimit të votave. Kryeministri u shpreh mbrëmë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut se Edi Rama është tutkallosur me karrigen e bashkisë dhe u servir shqiptarëve në mënyrë të vulgare standardet më të turpshme në histori. “Edi Rama ka hallin e çertifikatave, për të manipuluar votat dhe e sheh që po i vjen fundi kësaj meseleje, bashkë me fundin e tij politik, të cilin do t’ia faturojnë qytetarët më 28 qershor. Procesi i kartave të identitetit ka vijuar në mënyrë tërësisht normale, janë mëse 1 milionë e 200 mijë aplikime. Pjesa më e madhe e qytetarëve janë pajisur me kartat e reja të identitetit, me dokumentin e tyre themeltar, me të cilin identifikohen si qytetarë të Evropës. Ajo që më duket e papranueshme, janë përpjekjet e opozitës për ta ndalur këtë proçes. Edi Rama e kupton shumë mirë se po i vjen fundi politik dhe vetëm certifikatat mund ta nxirrnin atë nga situata. Ai është tutkallosur me karrigen e bashkisë, u ofron shqiptarëve standardin më të turpëshëm, nuk merr guximin të udhëheqë listën e kandidatëve. Ai është Enveri i dytë, u thotë qytetarëve se do mbajë edhe kryetarin e bashkisë, edhe do pretendojë postin e kryeministrit”, tha kryeministri Berisha.
Përsa u takon akuzave të PS-së se kartat shpërndahen sipas përkatësisë partiake, shefi i ekzekutivit u bëri thirrje miqësore të gjithë anëtarëve të të gjitha partive në vend, të ndihmojnë çdo qytetar, për të aplikuar për kartat, si një detyrë patriotike ndaj vendit.
Kreu i qeverisë rikujtoi edhe trazirat e opozitës në parlament në 2006-n, duke theksuar se synimi kryesor ishte për të frenuar miratimin në parlament të proçesit të MSA-së, Shqipëri-BE. Madje, shtoi kryeministri, Edi Rama ka qenë edhe kundër anëtarësimit në NATO, pasi në kancelaritë evropiane është regjistruar kërkesa e tij, që të mos pranohet Shqipëria në NATO, se do prishë zgjedhjet. Ai theksoi se qytetarët shqiptarë nuk mund të manipulohen nga një individ, i cili para se të dalë në televizion rri tre orë në makijazh. Kryeministri Berisha vuri në dukje se kompania që prodhon e shpërndan kartat e identitetit, po funksionon prej disa muajsh me 1/3 e kapacitetit të tij, sepse kaq është fluksi i qytetarëve. Janë hapur 500 qendra në Shqipëri, ku mund të bëhen 40 mijë aplikime në ditë. Berisha tha se ky vend nuk është në diktaturë, nën shkopinjtë dhe dhunën e shtetit, qytetarët janë të lirë. I gjithë procesi po shkon si duhet, përfundoi shtjellimin e çështjes kryeministri i vendit dhe të jetë e qartë për të gjithë se është e paimagjinueshme dhe e pakonceptueshme që procesi të njolloset. “Nuk do të ketë asnjë shtyrje të zgjedhjeve dhe këtë ide ta heqë nga koka, kryetari i opozitës”, tha Berisha.
...