OJF-të, transparenca, Edvini dhe politika
Nuk do të përbënte asnjë problem funksionimi i OJF-ve dhe statusit të tyre në Shqipëri sikur të mos kishim një fenomen shqetësues në shoqërinë shqiptare. Krerë të këtyre Shoqatave që pretendohet se janë apo kanë qenë jo qeveritare dhe apolitike, u bënë deputetë dhe politikanë, kryesisht nga radhët e opozitës. Rasti i Vasilika Hysit dhe OJQ-istëve nën siglën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit apo e Eglantina Gjermenit që ende drejton Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim, ose e Erion Veliaj me 99-shat e vet, janë ilustrimi më i saktë i funksionimit të një pjesë të mirë të OJF-ve apo OJQ-ve shqiptare. Është në fakt maja e ajsbergut, sepse të tjera OJF vazhdojnë të thithin në mënyrë të privilegjuar fonde duke u drejtuar nga Valentina Leskaj apo të tjerë eksponentë politikë. Sido që ta marrësh, kandidimi politik dhe instrumentalizimi politik i të ashtuquajturës shoqëri civile në Shqipëri nën ombrellën e Partisë Socialiste po shfaqet pas jo më shumë se 10 vjetësh nga koha kur filloi konsolidimi i kërpudhave njëngjyrëshe (asaj rozë) nën siglat e OJF-ve. Ajo çka të trishton është se gjatë gjithë kohës, ato së bashku me donatorët e ndryshëm, përfshirë organizatat ndërkombëtare që merren me projektet që supozohet që janë të pandikuara, transparente dhe në të mirë të të gjithë shoqërisë shqiptare, kanë bërë thirrje për pavarësi nga politika. Në fakt OJF-të në Shqipëri kanë përdorur një truk dhe mashtrim të vazhdueshëm që do të vetëdemaskohej siç ndodh tani. Skema e përdorimit të OJF-ve nga e majta shqiptare dhe shpesh nga vetë Edi Rama është shumë e thjeshtë. Eksponentë të së majtës shprehen të vetëkënaqur se janë treguar të zgjuar e që kanë arritur dhe arrijnë vazhdimisht të furnizojnë fushatat e tyre elektorale me përqindje që marrin nga projektet e ndryshme që me bujari u jepen OJF-ve të politizuara nga organizata që operojnë tashmë nën moto gjithëpërfshirëse. Aksesi i pakufi dhe i rregulluar në qark të mbyllur të shoqatave të ashtuquajtura të pavarura gjatë kohës së qeverisjes së të majtës i ktheu OJF-të e sipër përmendura dhe shumë të tjera që operojnë deri te romët dhe egjiptianët, në gjigantë të lëvrimit të fondeve që shkojnë në miliona dollarë. Këto para me bujari u ricikluan duke paguar fushatat e Partisë Socialiste dhe sponsorizuan politikat e qëndrimet antiqeveritare e anti Berishë të eksponentëve të caktuar të shoqërisë civile. Nuk ka ndodhur asnjëherë që OJF-të shqiptare të tregojnë e të bëjnë transparencë për fondet që marrin, ashtu siç nuk ka ndodhur asnjëherë që të shpallen publikisht dhe mediatikisht nga vetë donatorët mënyra se si janë përzgjedhur OJF-të për të implementuar programe të ndryshme. Fusha e OJF-ve në Shqipëri është plot me pisllëk e mostransparencë, çka çon te dyshimet mbi skemën që kanë ngritur. Më e keqja është se këto OJF nuk pyesin më për strukturat shtetërore që funksionojnë brenda qeverisë shqiptare e që duhet të bëjnë sipas ligjit koordinimin apo mbikëqyrjen e këtyre projekteve duke thyer kështu qoftë marrëveshjet kuadër të ratifikuara nga Parlamenti shqiptar qoftë duke anashkaluar hallkat e transparencës. Është e turpshme që gjithashtu në momentin kur cenohen interesat e këtyre OJF-ve tërësisht të ndikuara politikisht, aktivizohen në Tiranë deri edhe Ambasadorë të ndryshëm që për të mbrojtur variantin e menaxherëve apo sekserëve të rastit dërgojnë letra tek Ministrat dhe deri tek Kryeministri i vendit. E djathta shqiptare dhe qeveria shqiptare duhet të shohin me kujdes riciklimin e shumave të mëdha të parave që shkojnë nga xhepat e OJF-ve tek kundërshtarët politikë duke mbytur transparencën dhe duke shantazhuar të gjithë ata që u dalin përpara. Skema e OJF-ve ka arritur të rekrutojë brenda ministrive segmente te sektorëve të rëndësishëm të organikës siç janë zakonisht drejtoritë juridike që më pas hartojnë dhe venë para titullarëve marrëveshje apo tekste gjoja të rregullta që këta fatkeqësisht i nënshkruajnë pasi nuk u mbetet zgjidhje tjetër. Kryeministri Berisha dhe kabineti qeveritar nuk ka pse merr vendime me të cilat sanksionon emërimin apo paracaktimin e OJF-ve që implementojnë projektet e ndryshme qofshin këto edhe grante. Nuk mund të caktohen emra OJF-ësh që të ekzekutojnë miliona euro pa u bërë një proces transparent. Për më tepër Kryeministri Berisha duhet të informohet vazhdimisht për projektet e ndryshme në mënyrë që Këshilli i Ministrave të mos bëhet instrument i pavullnetshëm i interesave të kundërta me ato të mazhorancës dhe procedurave jotransparente. OJF e deputetes së PS-së, Eglantina Gjermeni Qëndra e Aleancës Gjinore për Zhvillim Eglantina Gjermeni Rr. Abdyl Frashëri, P.10, Sh.1/3 Kutia postare 2418, Tiranë Fax:0 4 255 515 Tel: 04 255 514 info@gadc-al.org Kjo adresë e-mail-i është e mbrojtur nga spam bots, duhet të aktivizoni Java skriptet për të parë atë tina@gadc –al.org www.gadc -org.al
...