OJQ-të: Korrupsioni dhe krimi kërcënojnë Kosovë
"Ne konsiderojmë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë sot kërcënimet kryesore për Kosovën. Këto po dëmtojnë institucionet e vendit dhe shoqërinë tonë në përgjithësi, duke penguar rimëkëmbjen ekonomike dhe duke cenuar demokracinë e brishtë të Kosovës. Së bashku sistematikisht dhe sigurt po dëmtojnë të ardhmen tonë evropiane", theksohet në një deklaratë të përbashkët të OJQ-ve. "Dëshmitë rrëqethëse të dala në opinion në rastin Bllaca, shëtitja e lirë e personave të implikuar në krimin e organizuar nëpër Kosovë, gjendja e jashtëligjshme në veri të Kosovës si dhe raportet e shumta të organizatave e institucioneve vendore e ndërkombëtare e bëjnë edhe më urgjente nevojën për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë. EULEX-i është thirrur t'i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në këtë drejtim". Ndërkohë, në lidhje me hapjen e procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit, siç thuhet, në kohën kur nga EULEX-i pritej të zbatonte zotimet për arrestime të individëve të inkriminuar, ka shtuar hutinë ndër qytetarët e Kosovës por edhe frikën se EULEX-i nuk do të përqendrohet në atë që qytetarët e Kosovës e konsiderojnë prioritet. Shoqëria civile si dhe qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë të paragjykojnë për punën e EULEX-it apo të ndërhyjnë në zbatimin e drejtësisë, megjithatë bindja e tyre është se "në kandarin e prioriteteve të Kosovës, më me peshë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar se sa trajtimi i rastit të z. Kurti", thuhet në këtë deklaratë të OJQ-ve. Sipas tyre, çelës i suksesit të misionit të EULEX-it në Kosovë është mbështetja që qytetarët e Kosovës do t'i japin këtij misioni. "I bëjmë thirrje EULEX-it që të përqendrohet në përmbushjen e misionit të vet dhe të ndihmojë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që të shohim Kosovën duke bërë progres në integrimet evropiane dhe në zhvillimin e gjithanshëm të vendit", theksohet në fund të deklaratës.