OKB-KS, diskuton raportin për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka zhvilluar seancën për Kosovën me paraqitjen e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, për gjendjen në Kosovë në këto tre muajt e fundit. Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanier, ka deklaruar gjatë fjalës së tij se gjendja në Kosovë paraqitet relativisht e qetë. Zanier është shprehur se Prishtina, por edhe Beogradi kanë treguar përmbajtje, duke evituar tensionet. Por Zanier ka thënë se një numër përpjekjesh për të filluar takimet mes dyja palëve për çështjet teknike, përfshirë edhe ato për trashëgiminë kulturore e fetare kanë dështuar për shkak të dallimeve të mëdha. Zanier ka përmendur shtrirjen e Misionit Europian për Drejtësi dhe Polici, EULEX dhe angazhimet e të dyja misioneve për të vendosur rendin dhe ligjin. Sipas tij, sfida të shumta kanë mbetur për Kosovën. Zanier tha se numri i personave të zhvendosur që janë kthyer në Kosovë ka shënuar rënie dhe ka bërë thirrje që Beogradi dhe Prishitna të lënë anash çështjet politike për të gjetur një zgjidhje për personat e zhdukur. Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit kanë folur edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç dhe ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni. Presidenti serb Tadiç e ka përshkruar si shumë të rëndë gjendjen në Kosovë dhe ka nënvizuar se serbët e Kosovës nuk kanë liri të lëvizjes, liri të shprehjes, madje as ujë edhe drita. Por ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni tha se Serbia po vazhdon që të pengojë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare. Hyseni e akuzoi Tadiçin se po pengon serbët e Kosovës që të inkuadrohen ne institucionet e Kosovës dhe se po mbështet strukturat paralele. Hyseni vlerësoi shtrirjen e EULEX-it dhe kërkoi përfundimin e misionit dhe të mandatit të UNMIK-ut. "Ka vazhduar rinkonfigurimi i UNMIK-ut dhe misioni europian për rendin dhe ligjin EULEX u vendos në gjithë territorin e Republikës së Kosovës më 9 dhjetor. Ne e kemi mirëpritur vendosjen e EULEX-it dhe përderisa ky mision po fiton fuqi të plotë operacionale, për arsye shumë praktike dhe pragmatike, kërkojmë përfundimin e misionit dhe të mandatit të UNMIK-ut", u shpreh Hyseni. Ai shtoi se vendosja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës është në përputhje me mandatin që buron nga Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, Paketa e Ahtisarit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligjet e Republikës së Kosovës. Ambasadori i Rusisë në Këshillin e Sigurimit, Vitali Çurkin kërkoi rihapjen e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit dhe kërkoi që misioni i OKB-së në Kosovë të ruajë edhe funksionet administrative dhe të riorganizohet në bazë të rezolutës 1244. Duke kritikuar gjendjen në Kosovë që pas fillimit të misionit të Eulexit, ambasadori Çurkin tha se gjendja është keqësuar dhe aty po lulëzon krimi dhe mungesa e ligjit. Ndërkaq, duke folur në emër të qeverisë amerikane, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, Rozmari DiKarlo tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë që roli i UNMIK-ut të reduktohet edhe më tej. Zyrtarja amerikane tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Di Karlo tha se Kosova është njohur nga 56 vende anëtare të OKB-së, por sipas saj, Kosova që të ketë sukses si vend demokratik, ka anevojë për bashkëpunimin e komunitetit serb.