E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE:Zgjedhjet në Maqedoni,me standarde

Misioni vëzhgues OSBE - ODIHR vlerëson se raundi i parë i zgjedhjeve vendore dhe presidenciale në Maqedoni i ka përmbushur shumicën e standardeve ndërkombëtare. Megjithatë, ky mision shprehet se mbeten edhe disa sfida të tjera, të cilat duhet tejkaluar. Pia Christmas Moller, nga Asambleja parlamentare e OSBE-së deklaroi se është e kënaqur me faktin se Maqedonia bëri disa hapa përpara drejt rrugës demokratike. Gjithashtu vlerësim pozitiv për zgjedhjet vendore dhe presidenciale ka dhënë edhe shefi i misionit OSBE-ODIHR, Piter Ajker. "Raundi i parë paraqet hap të rëndësishëm përpara. Ne do të vëzhgojmë progresin edhe në raundin e dytë", ka thënë Ajker. Sipas monitoruesve ndërkombëtarë në Maqedoni, zgjedhjet ishin të realizuara mirë, pa dhunë dhe incidente si ato që ndodhën në zgjedhjet e kaluara parlamentare në vitin 2008. "Siguria gjatë kohës së fushatës zgjedhore dhe në ditën e votimit, ishte dukshëm e përmirësuar. Është e qartë se këto zgjedhje lokale dhe presidenciale do ta kthejnë besimin tek qytetarët përmes procesit demokratik", tha shefi i Asamblesë Parlamentare të KE-së, Marieta De Purbe Lundin. Monitoruesit ndërkombëtarë kanë deklaruar se zgjedhjet e raundit të dytë, i cili do të mbahet më 5 prill, do të vazhdojë të ndiqen më një vëmendje të posaçme. Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka shpallur rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale, sipas të cilave në raundin e dytë përfundimisht do të garojnë kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov dhe kandidati i LSDM-së, Lubomir Fërçkovski. Në raundin e parë të zgjedhjeve vendore janë zgjedhur edhe kryetarët e 32 komunave, ndërsa në raundin e dytë votohet në 45 komuna. Në raundin e parë koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar në 23 komuna, Lidhja Social Demokrate në 4 komuna, BDI në 4 komuna, si dhe Partia Demokratike e Turqëve në një komunë. Në tetë komuna, KSHZ vazhdon të përpunojë të dhënat. Në garën për zgjedhjet vendore qytetarët votuan për zgjedhjen e kryetarëve në 84 komuna.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›