Maqedoni:Fituesit e zgjedhjeve verifikohen nga Komisioni i Dosjeve
Komisioni për hapjen e dosjeve, pas zgjedhjeve në Maqedoni,do të verifikojë personalitetet që do të dalin fitues në zgjedhjet presidenciale dhe vendore të 22 marsit. Kjo është bërë e ditur nga përfaqësues të këtij komisioni, që tashmë janë të vendosur në zyrat e punës të Radiotelevizionit të Maqedonisë. Kundrejt paralajmërimeve, komisioni për hapjen e dosjeve nuk filloi punën para zgjedhjeve. Të gjithë kandidatët për president, kryetar komune dhe këshilltarë kishin deponuar pranë komisioneve zgjedhore komunale dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), deklaratat e tyre të verifikuara në noterë, se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete policore. Kryetari i Komisionit për dosjet, Agim Mehmeti ka theksuar se së shpejti anëtarët e komisionit do të fillojnë punëve dhe sipas tij, fillimisht do të verifikohen deklaratat e funksionarëve të zgjedhur në zgjedhjet presidenciale dhe vendore. "Nëse dikush nga funksionarët e zgjedhur do të dalë se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete, atëherë ai patjetër duhet të braktisë funksionin. Sipas ligjit të lustracionit për deklaratat e rreme, gjithashtu funksionarët do të dënohen me një vit burg", ka deklaruar Mehmeti. Komisioni për dosjet në Maqedoni pritet të zgjedhë edhe sekretarin e përgjithshëm, por edhe ekipin profesional që do të merret me shërbime ndihmëse dhe plotësuese për komisionin.