Papa thirrje nga Afrika:Kthehuni në besim
Papa Benedikti XVI ka përfunduar turin e tij të vizitave në Afrikë. Në fund të turit të tij, papa Benedikti iu bëri thirrje liderëve të kontinentit të varfër të vendosin interesat e popujve të tyre mbi gjithçka. "Zemrat tona nuk mund të gjejnë paqe, ndërsa ka ende vëllezër dhe motra që vuajnë nga mungesa e ushqimit, punës, strehës dhe produkteve të tjera jetike. "Nëse do të më lejohej, të paktën do të bëja vetëm një thirrje. Do t'u kërkoja që plotësimi i drejtë i aspiratave themelore të njerëzve më në nevojë duhet të jetë shqetësimi kryesor i atyre në pushtet, pasi synimi i tyre, jam i sigurt, se është kryerja e misionit të tyre jo për vete, por për të mirën e përbashkët", u shpreh Papa, duke qëndruar në krah të presidentit të Angolës, Hoze Eduardo dos Santos, që prej një kohe të gjatë është lideri i njërit prej vendeve më të pasura të Afrikës. Ati i Shenjtë i bëri këto deklarata pak përpara se të hipte në bordin e avionit për t'u kthyer në Romë. Nevoja për frenimin e korrupsionit dhe shpërndarjen e pasurisë ishin temat e përsëritura vazhdimisht nga Papa Racingeri gjatë turit të tij afrikan, që nisi të martën e kaluar me një vizitë në Kamerun dhe arriti kulmin të dielën me një meshë në ambjent të hapur në kryeqytetin e Angolës, Luanda, ku morën pjesë afro një milionë persona. Shumë vende afrikane, si Angola dhe Kameruni, kanë burime shumë të pasura natyrore, por shumica e popullsisë së tyre jeton në varfëri ekstreme. Kritikët shprehen se liderët afrikanë i shfrytëzojnë këto burime për t'u pasuruar për vete.