E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: Raporti për Sirinë është objektiv

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se raporti i ekspertëve të tyre për sulmin kimik në Siri është tërësisht objektiv dhe se gjetjet e tij janë të padiskutueshme.

Zëdhënësi Martin Nesirky ka hedhur poshtë kritikat ruse për raportin, duke thënë se ato janë të padrejta dhe se faktet flasin vetë.

Ai ka thënë se konstatimet e raportit për përdorimin e gazit sarin, në sulmin e 21 gushtit pranë Damaskut, nuk duhet të vihen në dyshim.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se raporti nuk ka hequr dyshimet e Rusisë se rebelët qëndrojnë prapa sulmit.

Por, ekspertët e OKB-së nuk kanë pasur mandat për të caktuar përgjegjësinë.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, e ka cilësuar si të politizuar dhe të njëanshëm raportin e ekspertëve ndërkombëtarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›