E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: Rindërtimi i Pakistanit kushton 2,5 miliardë dollarë


OKB-ja ka dhënë alarmin për gjëndjen katastrofike pas përmbytjeve në Pakistan. Ambasadori i Pakistanit në OKB u shpreh ditën e marte në Gjenevë se rindërtimi i veriut të vendit, i dëmtuar nga përmbytjet që shkatërruan fshatra të tëra dhe toka pjellore, mund të arrijë në 2,5 miliardë dollarë ose1,9 miliardë euro.
"Zona e prekur është aq e madhe sa Anglia", bëri të ditur ambasadori Zamir Akram në një konferencë shtypi. "Sipas vlerësimeve të para, vetëm për veriun e Pakistanit do të duhen rreth 2,5 miliardë dollarë për të rindërtuar gjithçka", theksoi ai, duke shtuar se vendi ka marrë, nëpërmjet OKB-së, rreth 301 milionë dollarë për ndihmat urgjente. Pothuaj një javë pas thirrjes për ndihmë urgjente ndërkombëtare prej 460 milionë dollarë për gjashtë milionë pakistanezët e prekur më rëndë, OKB-ja ka mbledhur deri sot në mëngjes rreth 35 për qind të shumës, kundrejt 32 % që kishte mbledhur ditën e marte në mbrëmje. Sipas përllogaritjeve të OKB-së, kjo katastrofë natyrore, më e rënda në historinë e vendit, ka shkaktuar deri tani 1600 të vdekur.
Akram theksoi se deri më tani nuk ka patur raste kolere ose sëmundje të tjera. Sipas ambasadorit pakistanez, do të duhen edhe rreth 10 ditë të tjera për të vlerësuar plotësisht dëmet. Islamabadi thekson se më tepër se 14 milionë persona janë prekur nga përmbytjet në shkallë të ndryshme që shkojnë nga ata që nuk kanë më një banesë, tek ata që kanë humbur prodhimet bujqësore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›