Itali, sot lamtumirë ish-presidentit Cossiga
Zhvillohen sot homazhe për ish presidentin e Republikës së Italise Francesko Cossiga. Ish kreu i shtetit u ndaj nga jeta të martën në orën 13.18 minuta në poliklinikën Gemelli në Romë, ku që nga data 9 gusht ndodhej ne reanimacion për shkak të insuficensës kardiorespiratore. Në ceremoninë e lamtumirës merr pjesë edhe kardinali Bertone, ndërsa funerali privat do të zhvillohet në Sardenjë. Homazhet gjatë ditës së mërkurë do të zhvillohen në kishën e poliklinikës Gemelli dhe në to pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit, por gjithashtu edhe përfaqësuesit më të lartë të Vatikanit, ndër të cilët edhe sekretari i këtij shteti. Papa Benedikti i 16 ka shprehur ngushëllimet dhe keqardhjen për ndarjen nga jeta të Cossigës. Homazhet kanë nisur që në orën 10:00 të ditës së mërkurë dhe do të përfundojnë në orën 18:00. Funerali i tij do të kryhet në vendlindjen e prindërve, në Cheremule, një vend i vogël me 469 banorë. Trupi i tij do të varroset në varrezat e qytetit, ku gjenden edhe varret e të atit dhe së motrës. Francesco Cossiga u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare. Shkaku i vdekjes së tij besohet se ishte një krizë kardiake. Ai ndodhej prej ditësh në terapi intensive në klinikën Gemelli për shkak të insificensës cardio respiratore, që erdhi edhe si pasojë e uljes se presionit të gjakut. për pasojë edhe frymëmarrja i ishte vështirësuar së tepërmi, aq sa kriza Kardio-respiratore e së martës, për të ishte fatale.