“Koha e kometës” vjen në Tiranë
Petrika GROSI
“Koha e kometës”, filmi i bazuar mbi skenarin e Ismail Kadaresë, me regji të Fatmir Koçit do të shfaqet premierë mbrëmjen e sotme në kinema Millenium II në kryeqytet. Të ftuar do të jenë veç regjisorit, aktorit Blerim Destani, drejtorit të fotografisë Donald Gilian dhe personalitete të ndryshme të artit, kulturës e politikës. Më pas, filmi do të vazhdojë të projektohet gjatë ditëve në vijim në sallën e kinemasë për publikun e kryeqytetit.
“Koha e kometës” është një bashkëprodhim shqiptaro-gjerman ku interpreton një kast i zgjedhur aktorësh ndër të cilët Masiela Lusha, Blerim Destani, Çun Lajçi, Thomas Heinz, Ralf Moeller, Luan Jahja e Xhevdet Ferri. Sa i përket sinopsit, “Koha e kometës” është e fokusuar në Shqipërinë e viteve ’14, kur njëra ushtri vinte, e tjetra kapitullonte. Në film nuk mungojnë nuanca të groteskut, por në anën tjetër edhe realizmi dramatik që i ka ndjekur fatet e shqiptarëve ndër vite, e sidomos mes dy luftërave të fundit botërore. Në një prej episodeve komikë, trajtohet momenti kur në fuqi vjen Princ Vidi. Mbreti i Shqipërisë merr një letër nga fanatikët muslimanë, të cilët i kërkojnë që të bëhet synet në mënyrë që ta njohin si mbretin e tyre. Natyrisht, Vidi e refuzon këtë kërkesë. Një tjetër pikë kulminante e filmit është pjesa kur Shestani, (personazhi kryesor) një musliman me katër miqtë e tij nisen për në luftë të shkëputur nga realiteti, ndërkohë që lufta kishte mbaruar. Rrugës Shestani takon Agnesen, një vajzë katolike të cilën po e çonin në manastir për ta bërë murgeshë kundër dëshirës së saj. Dy të rinjtë bien në dashuri dhe Shestani e harron luftën... “Koha e kometës” fitoi çmim para pak kohësh edhe në Festivalin e Filmit që u zhvillua në Durrës. Ai mbahet si një ndër produksionet më të arrira shqiptare të viteve të demokracisë. Regjisori e stafi i filmit, por edhe publiku shqiptar, presin çmime të tjera nëpër festivalet e ardhshme ndërkombëtare. Le të shpresojmë që vërtet do të jetë kështu!
Skeda e filmit
Titulli: Koha e Kometës
Regjia: Fatmir Koçi
Skenari: Fatmir Koçi (përshtatur nga “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadare)
Aktorë: Masiela Lusha, Blerim Destani, Çun Lajçi, Thomas Heinz Ralf Moeller, Luan Jahja, Xhevdet Ferri
Gjinia: Dramë lufte, histori, romancë
Drejtor fotografie: Donald Gilian
Muzika: Aldo Shllaku
Kohëzgjatja: 104 minuta
9 Tetor 2008