E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy enigmat e zhdukjes së Remzi Hoxhës

Dosja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e dorëzuar tri ditë më parë në Gjykatë, ka lënë në mister motivin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, si dhe vendin ku përfunduan eshtrat e tij.

Trazhgim Sokolaj

Këto janë dy momentet për të cilat nuk thuhet pothuajse asgjë në dosjen penale, e cila akuzon për rrëmbimin e tregtarit katër ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, mes të cilëve edhe Arben Segjinin, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Prokuroria, siç duket është mjaftuar kur provoi se Remzi Hoxha u rrëmbye nga punonjës të SHIK-ut, rreth orës 13:30 në punishten e duraluminit “Albatros”, në pronësi të tij pranë ish-frigoriferit në Tiranë. Në dosje thuhet se tregtari kosovar, i cili kishte jetuar për pak kohë edhe në Maqedoni para se të vendosej në Tiranë bashkë me familjen, u dërgua në një bazë sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës. Sipas dosjes, për pasojë të torturave të ushtruara gjatë marrjes së tij në pyetje, diku ne katin e dytë të bazës sekrete të Shërbimit Informativ në Vain të Lezhës, Remzi Hoxha gjeti vdekjen. Dosja, e cila kufizohet me kaq përmban materiale të tjera që tregojnë se makina tip “Golf II” me targa TR 2449 C është e regjistruar nga Qarkullimi Rrugor si mjet në përdorim të Drejtorisë së SHIK-ut të Tiranës. Dokumentet dhe provat tjera në dosje, rreken të provojnë se rrëmbimi i Remzi Hoxhës, transportimi i tij për në Vain të Lezhës pas një lëvizje të paqartë nëpër Tiranë, marrja në pyetje dhe shkaktimi ndoshta pa dashje i vdekjes, janë kryer nga ish-punonjësit e Shërbimit Informativ. Edhe pse Prokuroria i akuzon si të implikuar në mënyra e role të ndryshme në ngjarje, të pandehurit e dosjes janë: Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, Ilir Kumbaro, ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë, Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë SHIK, Tiranë dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë.
Misteri i rrëmbimit nga SHIK-u
Prokuroria, duket se në dosjen e saj është mjaftuar, duke tentuar të provojë çfarë ka ndodhur në krimin, që ajo pretendon se kanë kryer ish-punonjësit e SHIK-ut. Organi i akuzës gjatë hetimeve nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes: Pse? Në dosje nuk gjendet thuajse asnjë fjalë, që të sqarojë përse u rrëmbye Remzi Hoxha, përse ai u mor në pyetje në bazën sekrete të Shërbimit Informativ dhe çfarë sqarimesh u kërkuan prej tij. Duket se lënia enigmë e një momenti të tillë në dosjen që mbërriti tri ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nuk është rastësi. Prej 13 vitesh, dosja, e cila disa herë është pushuar dhe më pas është rikthyer në hetim, nuk njohu asnjëherë ndonjë provë apo dëshmi që t’i japë përgjigje pyetjes: Pse? Ashtu sikurse të gjitha kërkimet për eshtrat e Remzi Hoxhës, dështuan në përpjekje për të gjetur varrin e të zhdukurit. Një informacion anonim mbërriti në Prokurorinë e Përgjithshme në vitin 2003 pas rihapjes së dosjes. Ky informacion, i cili si duket kishte mbërritur edhe në Shërbimin Sekret në atë kohë, pretendoi se Remzi Hoxha pasi kishte vdekur ishte varrosur diku pranë bazës sekrete në Vain te Lezhës. Prokurorët shkuan aty bashkë me vëllain e Remzi Hoxhës dhe zyrtarë të Shërbimit Sekret, por kërkimet dështuan.

TË AKUZUARIT

1. Arben Sefgjini
ish-drejtor i Shërbimit Informativ, Tiranë

2. Ilir Kumbaro
ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë

3. Avni Koldashi
ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë SHIK, Tiranë

4. Budjon Meçe
ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë

“Gazidede dha urdhër për babain”

TIRANE – Ardiani, djali i Remzi Hoxhës, duke iu referuar fakteve të bëra publike, lidhur me zhdukjen e tregtarit kosovar, thotë se urdhri për rrëmbimin e babait të tij është dhënë nga ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede. “Personi që i di të gjitha gjërat dhe që ka dhënë urdhër, është Gazidede”, është shprehur Ardian Hoxha, duke pohuar shpresën e tij se kësaj radhe, drejtësia shqiptare do t’i shkojë deri në fund hetimeve për atë që ka ndodhur me babanë e tij 13 vjet më parë. Ardian Hoxha ka kërkuar që drejtësia të ndihmojë familjen e tij për të gjetur të zhdukurin, në mënyrë që babai i tij të varroset siç i takon, si një hero i kombit shqiptar.

Ish-shefi i SHIK-ut, Klosi: Prokuroria pati kohë për zbardhjen e së vërtetës

TIRANE – Ish-shefi i Shërbimit Informativ Fatos Klosi, mendon se Prokuroria ka pasur kohë të mjaftueshme për të zbardhur të vërtetën e asaj që ka ndodhur me Remzi Hoxhën. “Prokuroria i pati shumë kohë në dorë ata njerëz, u mbajtën ca kohë brenda. Unë them se, duhej të kishte arritur të nxirrte të vërtetën”, tha Klosi. Sipas tij, drejtësia duhet të zbardhë ngjarjen, e para për familjen e të zhdukurit, por edhe për faktin se me këtë që ndodhi në Kosovë, atje Remzi Hoxha konsiderohet hero. Duke iu referuar kësaj, Klosi tha se nëse mendohet se Remxi Hoxha ka përfunduar në duart e SHIK-ut, atëherë ka edhe një shkak tjetër që Prokuroria të zbardhë ngjarjen edhe për të vënë në vend nderin e Shërbimit Informativ. Kjo, sipas Klosit është një tjetër shkak që Prokuroria t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Klosi beson se ngjarja e Remzi Hoxhës është një rast i izoluar. Ai tha se, nuk akuzon paraardhësit e tij në drejtimin e SHIK-ut, duke pohuar se këtë mund ta bëjnë organet e drejtësisë. “Prokuroria derisa iu rikthye kësaj çështjeje do të thotë se, kanë prova të reja ose ka bërë një analizë më të thellë të provave që ka pasur dhe ka arritur në përfundimin se ka elementë të krimit”, u shpreh Klosi. Gjithsesi, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në gjykatë që ish-punonjësve të SHIK-ut, mes të cilëve edhe drejtori i Tatimeve Arben Segjini, të ndalohen për të dalë nga Shqipëria me anë të bllokimit të pasaportave.

Avokati: Zhdukja e Remzi Hoxhës krim shtetëror

TIRANE – Tomë Gashi, avokati i familjes së Remzi Hoxhës, thotë se zhdukja e biznesmenit kosovar është një krim shtetëror që implikon drejtues të lartë. Sipas tij, e meta e punës që ka bërë Prokuroria shqiptare është se, ajo nuk ka ngritur akuzë për asnjë hierarki të atyre personave, të paktën nëntë, që dyshohet se janë implikuar direkt ose indirekt në zhdukjen e Remzi Hoxhës. “Besoj se Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, do të tregojë se nuk është prokurore politike, por e shtetit shqiptar duke vënë në ndjekje penale të gjithë personat e implikuar në krim”, është shprehur avokati Tomë Gashi, i cili mbron interesat ligjore të familjes së Remzi Hoxhës. “Ky është një krim shtetëror dhe është kryer për arsye shtetërore”, ka vijuar më tej avokati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›