Panetta: Izraeli të del nga izolimi

Gjatë një takimi në Washington, sekretari Panetta tha se Izraeli duhet të fillojë nga kthimi në “tryezën e bisedimeve” dhe të negociojë paqen me palestinezët.
Ai i bëri gjithashtu thirrje Izraelit të përmirësojë marrëdhëniet me partnerët e tij tradicionalë, Turqinë, Egjiptin dhe Jordaninë.
Disa udhëheqës izraelitë e kanë shikuar Pranverën Arabe dhe kryengritjet, si ajo që përmbysi ish-presidentin e Egjiptit, Hosni Mubarakun, si kërcënim për stabilitetin në rajon, si dhe për sigurinë e Izraelit.
Por Panetta u bëri thirrje zyrtarëve izraelitë të heqin dorë nga ajo mënyrë e të menduari.
Sekretari Panetta tha se Izraeli nuk ka zgjedhje tjetër dhe duhet të marrë parasysh disa rreziqe për një të ardhme më të sigurt, duke rifilluar bisedimet e paqes me palestinezët, një proces për të cilin ai tha se është pezulluar.