Gripi, një shtatzënë nga Korça rëndë në Sanatorium
Statistikat spitalore: Mosha më e prekur nga AH1N1 është grupmosha aktive, nga 20-40 vjeç
Gratë shtatzëna dhe moshat e reja janë ndër kategoritë më të preferuara për t’u prekur nga gripi i derrit AH1N1.
Pas vdekjes së tre grave shtatzëna nga virusi pandemik, dy të tjera kanë shpëtuar paq, pa kaluar në përkeqësim të gjendjes shëndetësore, pas terapisë së marrë në shërbimet e specializuara spitalore. Por rastet e grave shtatzëna të prekura nga gripi i derrit nuk kanë mbetur në vend numëro. Një tjetër grua shtatzënë, e shtruar në reanimacionin e Sanatoriumit të Tiranës, është në rrezik nga gripi i derrit. Gruaja nga Korça ndodhet në javën e 31-të të shtatzënisë dhe po merr trajtim të specializuar në reanimacion përmes aparaturave respiratore.
Mjekët e spitalit universitar të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi” tashmë janë mësuar me rastet e rënda që paraqiten për trajtim intensiv në këtë qendër, e megjithatë gratë shtatzëna janë kategoritë që trajtohen me më shumë prioritet, duke i ofruar ndihmë polivalente. Një grup specialistësh, si infeksionistë, mjekë gjinekologë dhe mjekë të specialiteteve të tjera kontrollojnë gjendjen e pacientëve. Ashtu siç shpjegojnë edhe specialistët, vetë gjendja shëndetësore e grave shtatzëna është e rënduar, po ashtu bashkëshoqërimi i problemeve të anemisë, apo ulja e imunitetit është një shenjë përkeqësuese për gjendjen shëndetësore. Ajo që këshillohet është edhe një dietë e pasur me vitamina, qetësia, ambienti i ngrohtë si dhe shëtitjet në ambiente me ajër të pastër. Nga ana tjetër, në shërbimin e infektivit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” raportohen edhe dy raste të tjera të rënda, por të cilët aktualisht thuhet se nuk janë në gjendje të rëndë për jetën. Sipas statistikave spitalore, në spitalet kryesore paraqiten çdo ditë dhjetëra raste të prekur me AH1N1. Pacientët i përkasin kryesisht moshave të reja dhe aktive nga 20 deri në 40 vjeç. Analizat e Institutit të Shëndetit Publik pranë laboratorit të virologjisë raportojnë se në vend, tashmë prej më shumë se 6 muajsh, janë prekur rreth 450 shqiptarë me AH1N1, të tjerë kanë shfaqur komplikacione për shkak të infektimit nga virusi pandemik. Deri tani, në vend numërohen 12 të vdekur për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga gripi i derri, të tjerë kërkojnë trajtim të specializuar në qytetet kryesore të vendit, kryesisht në Tiranë.
#