OKB kërkon liri të lëvizjes për vëzhguesit në Siri

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka kërkuar nga qeveria siriane që t`u sigurojë vëzhguesve të OKB-së lirinë e lëvizjes, me qëllim monitorimin e armëpushimit.
Ban Ki Moon e ka cilësuar armëpushimin si “shumë të brishtë”, por ka thënë se është e domosdoshme që ai të mbahet, në mënyrë që të mund të vazhdojë një dialog gjithëpërfshirës politik.
Ai po ashtu ka thënë se forcat opozitare duhet të bashkëpunojnë plotësisht.
Raportet thonë se dhuna ka rënë në Siri, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, të enjten e kaluar.
Megjithatë, ka edhe informacione të tilla që flasin për dhunë, sidomos në Homs, ku bombardimet e qeverisë kanë ngritur dyshime për angazhimin e presidentit sirian, Bashar al-Asad, rreth planit për paqe të të dërguarit ndërkombëtar për krizën, Kofi Anan.
Plani për paqe ka për qëllim t`i japë fund dhunës 13-mujore ndërmjet forcave qeveritare të Sirisë dhe kryengritësve.