E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me shërbimin sekret, Pentagoni: Jemi të turpëruar

Zyrtarë të Pentagonit thanë se ndihen të “turpëruar” pas dyshimeve për sjellje të pahijshme ku përfshihen pjestarë të Shërbimit Sekret, personel ushtarak dhe prostituta në Kolumbi.

Shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Martin Dempsey, tha në një konferencë shtypi në Pentagon se krahu ushtarak “nuk e mbështeti drejtuesin e saj” duke shkatuar një shpërqëndrim të vëmendjes nga një prej angazhimeve të rëndësishme të presidentit në rajon.

Sekretari amerikan i mbrojtjes Leon Paneta shtoi se është një “kërkesë” për forcat tona që t`u përmbahen “standarteve më të larta”. Ai tha se nëse gjenden fajtor, njerëzit e përfshirë në skandal do të vihen përpara përgjegjësisë.

11 pjestarë të Shërbimit Sekret të cilët ishin vendosur në Kolumbi përpara vizitës së Presidentit Barack Obama atje, u kthyen në atdhe. Atyre u është dhënë leja administrative në pritje të një hetimi ku përfshihet edhe prostitucioni. Të paktën 5 pjestarë të personelit ushtarak të caktuar për të mbështetur shërbimin sekret janë izoluar në kazermat e tyre në Kolumbi mbas ngritjes së akuzave.

Njoftimet për dyshime për sjelljen e pahijshme u bënë të ditura përpara mbërritjes së zotit Obama në qytetin turistik të Kartagjenës ditën e premte për të marrë pjesë në takimin e gjashtë të nivelit të lartë të Amerikave.

Të dielën, zoti Obama e quajti këtë incident si një episod të izoluar dhe lavdëroi Shërbimi Sekret në tërësi.

Ai tha se agjentët që janë sjellë në mënyrë të pahijshme janë të dobët përpara shantazheve e si rrjedhim kjo mund të rrezikojë sigurinë e atyre që janë nën mbrojtjen e këtyre agjentëve.

Shërbimi Sekret bëri të ditur se askush nga personeli i përfshirë në këtë incident nuk ishte i ngarkuar me mbrojtjen e zotit Obama.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›