E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB kritikon Gruevskin për ndërtimin e kishës

Shkup-Aventurat e Gruevskit apo thënë ambiciet donkishoteske për të ruajtur me çdo kusht rejtingun partiako-personal me anë të ndërtimit të kishës mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezë, e ka sjellë në Shkup edhe përfaqësuesen speciale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për liritë fetare, Asma Xhahangir. Alarmi diplomatik i zonjës Xhahangir, ishte shumë shqetësues, nëse autoritetet shtetërore e kanë kuptuar si duhet.

Ajo u bëri me dije se nëse kryeministri nuk heq dorë nga veprimet e tij të fundit skandaloze, ku bënë pjesë edhe ndërtimi i kishës me para buxhetore në mes të Shkupit, situata tepër delikate (në kuptimin e sigurisë) mund të dalë jashtë kontrollit, kurse përmasat dhe pasojat nga kjo gjendje do të mund të ishin të paparashikueshme dhe të kobshme për Maqedoninë.

“Nëse nuk reagohet me kohë pastaj mund të jetë vonë. Kur mostoleranca religjioze del nga kontrolli, atëherë është vështirë që të bëhet kthesë”, kështu tingëllonin për rejtingomanin Gruevski, kambanat e përfaqësueses së OKB-së, Asma Xhahangir.

Diplomatët nuk i thonë gjërat troç, siç meritojnë t’i thuhen krerëve shtetërorë maqedonas, por ata përdorin “makijazhin” oratoriko-diplomatik për tu bërë me dije, atyre që nuk marrin vesh, se gjërat nuk lëvizin në kahun e duhur. Nëse këto leksione nuk merren parasysh apo me fjalë tjera injorohen, siç ka injoruar Gruevski deri tani më shumë kërkesa të shqiptarëve, fati i tij me gjithë rejtingun do të marrin teposhtën. Por, e keqja do të jetë se bashkë me të do të pësojnë edhe të tjerët, që nuk kanë faj aspak.

Gruevski tani është para dy alternativave jo shumë të favorshme për të: E para, të tërhiqet nga kërkesa për ndërtimin e kishës mbi themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, gjë që do ti sillte në mënyrë automatike rënien në mënyrë drastike të rejtingut, dhe, e dyta, të vazhdojë të ndërtojë kishën, me çmimin e prishjes partnerët ndërkombëtarë.

Varianti i dytë aspak nuk i konvenon, sepse do të ishte fillimi i fundit të “kalërimit” politik të rejtingomanit Gruevski. Një fjalë e urtë popullore thotë: Mos e fut hundën aty ku nuk e ka vendin! Apo një tjetër, më duket pak më filozofike: I urti nuk bën çka di, kurse i marri nuk di çka bën! Veprimet politiko-donkishoteske të Gruevskit, këtë të fundit po e sjellin para situatës, kur tani e tutje rënia e rejtingut të kryeministrit do të jetë një realitet.

Çka ta bën koka askush s’ta bën! Selami i OKB-së është shumë i qartë. Me qartësinë e vet ai shpon edhe veshin e të shurdhrit. Vetëm i marri nesër ose pasnesër mund të arsyetohet se nuk ka mundur t’i parashikojë pasojat eventuale që do të dalin nga këto aventura. Lajmpress

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›