E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB miraton rezolutën serbe për Kosovën

 

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën e paraqitur nga Serbia për të kërkuar mendim këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës- nëse ajo është ose jo në pajtim me ligjin ndërkombëtar.

Për rezolutën 77 vende anëtare të OKB-së kanë votuar pro, 74 kanë abstenuar dhe 6 kanë qenë kundër. Pritet që dy deri në tre vjet të kalojnë deri sa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ta japë opinionin e saj. Beogradi ka thënë se këshilla neutrale juridike do të ndihmojë në uljen e tensioneve në rajon, por përkrahësit e Kosovës thonë se ajo do të ngadalësojë integrimin e Prishtinës në komunitetin botëror.Edhe pse rezoluta serbe është miratuar nga Asambleja, shumë nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë abstenuar. SHBA, sikurse edhe Shqipëria e kanë kundërshtuar atë. Përfaqësuesja e SHBA-së Rosemary Di Carlo, i ka thënë Asamblesë se kërkesa e Serbisë ka qenë e panevojshme dhe jodobiprurëse, për të shtuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Ambasadori britanik në OKB, John Sawyers, ka përsëritur përkrahjen e plotë të Londrës për GJND, por ka shtuar se kjo nuk nënkupton se e mbështet rezolutën e Beogradit, për të cilën Britania ka abstenuar. "Arsyeja është se kërkesa e Serbisë është bërë më shumë për arsye politike sesa juridike", ka thënë ai për të shtuar se rezoluta "është disenjuar që të ngadalësojë shfaqjen e Kosovës si një komb i pavarur, i njohur në masë të madhe ndërkombëtarisht, në institucionet ndërkombëtare të botës, ku edhe ajo do të luante rolin e vet". Ndarjet në BE, kanë qenë të qarta, meqë Qiproja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Spanja mbështesin kërkesën serbe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›