E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama fiton debatin e dytë presidencial me McCain

 

Kandidati demokratik për Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama, ka një avantazh prej vetëm dy pikësh mbi republikanin Xhon Mekein. Dhe sipas një sondazhi të zhvilluar nga agjencia e lajmeve Reuters, Obama kryeson me 47%, duke lënë pas kandidatin Mekein me 45%.

CNN në sondazhin e vet telefonik me 675 amerikanë shikues të debatit, nxori 54 për qind të preferencave për Obaman kundrejt 30 për qind për McCain. (për të tjerët, debati ishte i barabartë)

Rrjeti CBS News, gjithashtu nxori fitues të debatit Obaman me 40 për qind të preferencave të publikut, kundrejt 26 për qind për McCain. (për të tjerët, debati ishte i barabartë)

Të ndryshme ishin rezultatet e sondazhit të Fox News, sipas të cilit, 86 për qind e spektatorëve të tij, deklaruan se John McCain mbizotëroi debatin, kurse Obama u votua nga vetëm 12 për qind.

***** 

Një Mekein i nervozuar dhe një Obama agresiv. Kështu janë shfaqur dy kandidatët për presidentë të Amerikës në debatin e dytë televiziv mes tyre. Veçanërisht në dy- tre raste është vënë re një acarim jo i zakontë i kandidatit republikan.

Debati presidencial u dominua nga kriza financiare dhe u drejtua nga moderatori i televizionit Nbc, Tom Brokaw. Në sallë ishte dhe një publik shumë i zgjedhur me 80 zgjedhës që bënin pyetje.

Veç krizës financiare në SHBA, debati preku thuajse gjithë panoramën botërore, si konfliktet në Afganistan dhe Irak, luftën ndaj talebanëve në Pakistan dhe problemet me programet nukleare iraniane dhe koreanoveriore.

1

Bin Laden

'Do ta vrasim Bin Laden”, - ka gjëmuar senatori i Illinois, Barack Obama. ''Do ta shuajmë Al-Qaedan. Kjo duhet të jetë prioriteti ynë më i madh për sigurinë kombëtare”. Obama shtoi se Amerika do të ishte e gatshme të gjurmonte dhe kapte udhëheqësin e al-Kaidës, Osama Bin Laden, edhe brenda territorit pakistanez nëse qeveria e Islamabadit nuk do ta bënte këtë.

Zoti Mekejn tha se kjo politikë e zotit Obama do ta bënte opinionin publik në Pakistan t'i kundërvihej Shteteve të Bashkuara. McCain ka komentuar se me këto deklarime Obama ka konfirmuar se “ka ndër mend të sulmojë Pakistanin”.

2

Iraku

Obama tha se Iraku nuk kishte të bënte fare me sulmet e 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara, dhe ndërsa Amerika përqendrohej tek Iraku, ideatori i sulmeve terroriste, Osama Bin Laden ndodhej tjetërkund. Ai tha se trupat amerikane duhet të tërhiqen me kujdes nga Iraku dhe trupa shtesë duhet të dërgohen në Afganistan.

Mekejn tha se plani i senatorit Obama për të caktuar një datë për tërheqje nga Iraku do të çonte drejt një lufte më të gjerë, në rritjen e ndikimit të Iranit në rajon dhe disfatën e trupave amerikane.

3

Taksat

Zoti Obama e portretizoi politikën taksore të zotit McCain si fitimprurëse për drejtorët e pasur ekzekutivë, kurse zoti McCain tha se në thelb zoti Obama ishte një person që dëshironte t'i rriste taksat.

Debati u zhvillua në një mënyrë më të afërt dhe intime, në hollin e bashkisë ku dy kandidatët kishin mundësi të lëviznin lirshëm dhe t'i afroheshin audiencës teksa bënin deklaratat e tyre.

Politika e jashtme solli edhe konfrontimin më personal të mbrëmjes, ku zoti Obama u përpoq ta nxirrte zotin McCain si luftënxitës. "Nuk është e vërtetë", u përgjigj McCain, që nga ana e tij u përpoq ta portretizonte Obamën si një person që ishte në mënyrë të rrezikshme pa eksperiencë.

4

Kriza

Në debatin që u zhvillua në Nashvil të shtetit Tenesi, Senatori Mekein fajësoi për krizën financiare atë që e cilësoi si "babëzinë për para dhe shpenzimet pa kriter" në Uoll Strit dhe Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se ka në plan ta zgjidhë krizën duke i dhënë urdhër qeverisë që të rinegociojë kreditë e pashlyera për të ndihmuar amerikanët që të mos u konfiskohen banesat. Senatori Obama i cilësoi problemet financiare si"gjykimi i fundit" për politikat e dështuara të Presidentit Xhorxh Bush, që gëzuan edhe mbështetjen e Senatorit Mekein.

5

Irani

Të dy kandidatët presidencialë ishin të të njëjtit qëndrim se Irani nuk duhet të lejohet të shtjerë në dorë armë bërthamore dhe të dy po ashtu kanë bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve më të rrepta kundër Republikës Islamike.

Zoti Mekejn tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të prisnin vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të vepruar nëse Teherani do të sulmonte Izraelin. Ndërsa zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të heqin dorë kurrë nga mundësia e ndërhyrjes ushtarake për sa i përket Iranit. Por ai shtoi se i mbështet bisedimet me Iranin për të treguar se nëse Teherani nuk ndryshon qëndrim, atëherë pasojat do të ishin të rënda.

6

Rusia

Për sa i përket Rusisë, të dy kandidatët shprehën shqetësim për veprimet e fundit ushtarake të Moskës në Gjeorgji. Senatori Mekejn tha se Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë mbështetje morale ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës dhe se Rusia duhet ta kuptojë se sjelljet agresive janë të papranueshme. Ndërsa zoti Obama tha se pavarësia energjetike është qenësore për qëndrimin që do të mbajnë Shtetet e Bashkuara ndaj Rusisë në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›