E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeciada

• Edmond TupjaPër fatin tragjik të shumë prej banorëve të tij, fshati Gërdec hyri në historinë e Shqipërisë dhe, me sa duket, do të qëndrojë atje për njëfarë kohe që ende nuk e dimë nëse do të matet me vite, me dekada, me shekuj apo thjesht me dhimbje, një dhimbje të pafund e farmak të hidhur, të cilën, sado të përpiqen, pozitarë e opozitarë nuk mund ta përjetojnë plotësisht as thellësisht. Përse kështu? Përgjigja është e thjeshtë: Sepse, kur është në lojë pushteti – për t’u mbajtur apo për t’u marrë –, askush nuk është deri në fund i sinqertë. I sinqertë është dhe nuk mund të jetë veçse ai që e ka pësuar në kurriz e sidomos në shpirt, pra, populli i thjeshtë, ai i Gërdecit në rastin konkret.Këtë sinqeritet e ndjeva para disa ditësh tek ndiqja një intervistë të shkurtër të një banori, të cilin gazetarja e pyeste nëse kishte pasur të lënduar në familje. “Jo, – iu përgjigj fshatari, na ka rujt’ Zoti!”. Thjesht fare, në mënyrë krejt të natyrshme, pa asnjë lloj retorike politikanësh të babëzitur për pushtet, ai tha kështu një të vërtetë edhe më tragjike se vetë gjëma e Gërdecit: Përballë rreziqeve e katastrofave natyrore apo shoqërore, jetën e shqiptarëve e mbron rastësia. Sepse fjala “Zot”, në gojën e tij, me siguri kishte kuptimin e fjalës “rastësi”; ndryshe, i bie që Zoti, ai që supozohet se, lart në qiell, është i plotfuqishëm dhe i gjithpushtetshëm, objektiv në ushtrimin e drejtësisë së vet hyjnore, disa i ruaka e disa jo, pra, u tregoka i padrejtë, i njëanshëm duke ndjekur parimin “ca të nënës e ca të njerkës”.Që ne, shqiptarëve, të na ruajë e të na mbrojë shteti (dhe shtet nuk do të thotë “rastësi”, as “tafti-bafti”, as “të dalë ku të dalë”, as “pas meje u bëftë kiameti”), duhet që ky shtet të jetë i përgjegjshëm dhe t’i dalë popullit për zot, veçanërisht kur bëhet fjalë për qindra mijëra tonë armë e municione me të cilat diktatura paranojake e Enver Hoxhës e ka minuar Shqipërinë dhe për të cilat asnjë qeveri, e majtë apo e djathtë, nuk është shqetësuar mirëfilli deri më sot. Meqë ra fjala për të djathtë e për të majtë, jam i bindur që mynxyra e Gërdecit nuk ndodhi vetëm sepse e djathta ishte në pushtet; ajo mund t’i kishte ndodhur edhe të majtës po të kishte qenë në pushtet, sepse papërgjegjshmëria e politikanëve tanë tashmë është bërë proverbiale, pavarësisht vendit që ata kanë zënë dje, zënë sot e do të zënë nesër në spektrin e partive shqiptare. Kjo papërgjegjshmëri, madje, duket se është shtrirë, si një sëmundje ngjitëse, deri te shtresat e thjeshta e anonime të popullsisë: le të kujtojmë papërgjegjshmërinë e atyre që u bënë shkaktarë të mbytjes së gjashtëmbëdhjetë vetëve në liqenin e Farkës; kjo mbytje tani ngjan si një prelud, si një parathënie e katastrofës së Gërdecit. Shfaqje të tilla papërgjegjshmërie hasim gati çdo ditë, gati në çdo hap. Me këtë nuk dua të them që jemi një popull i papërgjegjshëm, por, ama, që prodhojmë papërgjegjshmëri, kjo është e vërtetë, që nga baza deri në majë të piramidës shtetërore dhe të asaj shoqërore. Pikërisht këtu qëndron fatkeqësia jonë kombëtare në këtë fillim mijëvjeçari.Pardje, një ecje e heshtur, paqësore, u zhvillua me dinjitet në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, gjë që dëshmoi se qytetarët shqiptarë dinë ta shprehin protestën e tyre pa dhunë dhe t’i tregojnë botës së qytetëruar se ata janë distancuar nga tërbimi shkatërrimtar i trazirave të 1997. Ishte një ecje plot domethënie dhe jo një “marshim”, siç njoftoi ndonjë media elektronike e pakujdesshme (apo provokatore?), term ky me ngjyresë agresive nëse kemi parasysh, nga pikëpamja historike, “marshimin mbi Romë” të këmishave të zeza, pra, të fashistëve italianë, më 27 tetor 1922, që e solli Musolinin në pushtet me mbështetjen e mbretit Viktor-Emanueli III.Ndoshta një ditë, ashtu siç Homeri krijoi “Iliadën”, një shkrimtar ka për ta shkruar tragjedinë e porsapërjetuar nga gjithë shqiptarët me titull “Gërdeciada”, në mënyrë që klasa politike shqiptare të ndërgjegjësohet për përgjegjësitë e mëdha që i bien dhe t’i kërkojë të falur popullit të zhgënjyer deri në palcë.Gjithsesi, një pyetje po më përvëlon buzët: Kur do të vijë në Shqipëri një qeveri e zonja të merret më në fund seriozisht, ndër të tjera, edhe me likuidimin e municioneve e të armëve që po mbajnë peng jetën e shqiptarëve?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›