Moisiu: Në Gërdec ka korrupsion
Moisiu është shprehur se, asnjë prej drejtuesve të komuniteteve fetare nuk mund ti jepet shtetësia shqiptare
TIRANË- Ish Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ka deklaruar dje se ngjarja tragjike e ndodhur në fshatin Gërdec në afërsi Vorës përbën një çështje në të cilën ka korrupsion. Moisiu ka qenë dje i ftuar në emisionin "Përballë" ne TVSH, ku ka folur gjatë për shpërthimet e ndodhura në fshatin Gërdec dhe pasojat e tyre. Ish kreu i shtetit është shprehur se, në këtë çështje ka korrupsion dhe, sipas tij, është mjaft e gabuar që dy depo municionesh të rrinë aq pranë njëra-tjetrës. Ndërkohë, edhe dy ditë më parë gjatë një prononcimi për mediat, ish Presidenti ka folur për ngjarjen e Gërdecit, ku ka thënë se ngjarja atje ndodhi në mungesë të plotë përgjegjshmërie nga strukturat e shtetit dhe nuk mund të justifikohet nga askush. Në këtë prononcim, Moisiu ia ka faturuar përgjegjësinë kryesore qeverisë dhe ministrisë së Mbrojtjes. "Sigurisht përgjegjësia kryesore është e qeverisë dhe e atij që drejton dikasterin e ministrisë së Mbrojtjes. Në çdo vend të botës po të ndodhi kjo menjëherë ministri përkatës duhet të japi dorëheqjen. Biles do të thosha se edhe qeveria duhet të jepte dorëheqjen dhe nuk do të ishte e tepërt", ka thënë Moisiu. Gjatë intervistës së djeshme në emisionin "Përballë", Presidenti ka folur edhe për çështjen e nënshtetësisë së kryepeshkopit Janullatos. Moisiu është shprehur se, asnjë prej drejtuesve të komuniteteve fetare nuk mund ti jepet shtetësia shqiptare, duke u shprehur në këtë mënyrë kundër dhënies në shtetësisë shqiptare Janullatosit. Për ish Presidentin Moisiu, i cili gjatë kohës që drejtonte Presidencën nuk e dha shtetësinë shqiptare për kryepeshkopin Janullatos, të gjithë drejtuesit e komuniteteve fetare në vendin tonë duhet të jenë shqiptarë. Aktualisht, çështja e nënshtetësisë shqiptare të kërkuar nga Janullatos ndodhet në Presidencë, ku presidenti aktual Topi ka deklaruar se po e ndjek me një ndjeshmëri të veçantë këtë kërkesë të Janullatos.