OKB, thirrje për përmbajtje në veri të Kosovës

Këshilli i Sigurimit nuk miratoi propozimin e Rusisë për të nxjerrë një deklaratë me të cilën do t`i kërkohej shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës të shmangin dhunën dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut.
Takimi urgjent, që u mbajt ditën e djeshme, erdhi pas kërkesës së Rusisë dhe të Serbisë për të “shqyrtuar situatën në Kosovë për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të tensioneve”, ndërsa pasoi paralajmërimet e Prishtinës zyrtare që më 16 shtator të zbatojë në tërësi planin për marrjen e plotë të pikave kufitare në veri të Mitrovicës.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit u zhvilluar me dyer të mbyllura, mirëpo para nisjes së takimit sekretari përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në veri.
“U bëjë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat do të mund të përshkallëzonin tensionet në atë zonë. U kërkoj autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që ta vazhdojnë suksesin e deritashëm të tyre dhe që të ndërmarrin hapa praktik drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani. U kërkoj gjithashtu që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe për të parandaluar konfrontimet dhe dhunën në veri të Kosovës”, tha Ban Ki Moon.