OKB,akuzon Izraelin për shkelje të të drejtave ndërkombëtare
Izraeli, u akuzua për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare në ofensivën e tij në Rripin e Gazës, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një atmosferë të rënduar nga bombardimi i Shtabit të Përgjithshëm të OKB-së në Gaza. Kryetari i asamblesë, Miguel d'Escoto, numëroi shkeljet e kryera sipas tij nga shteti hebre: "ndëshkim kolektiv, përdorim i forcës në mënyrë të pabarabartë dhe sulme me objektiv civilë, ku përfshihen shtëpi, xhami, universitete dhe shkolla".Ai mbajti fjalën e hapjes së një mbledhjeje urgjente të Asamblesë së përgjithshme, ku marrin pjesë 192 shtete anëtare të OKB-së, duke patur si qëllim të kërkojë respektimin e thirrjes për armëpushim në Gaza të bërë nga Këshilli i Sigurimit në rezolutën 1860. Delegacioni izraelit u përpoq ta pengonte mbajtjen e mbledhjes, duke sjellë si argument se në bazë të Kartës së OKB-së, Asambleja e Përgjithshme nuk kishte për detyrë të merrej me një çështje për të cilën ishte mbledhur tashmë Këshilli i Sigurimit. Por, kërkesa e tij u rrëzua, pasi d'Escoto theksoi se asambleja, "organi më përfaqësues dhe demokratik i OKB-së" nuk mund të qëndronte e heshtur ndërkohë që rezoluta 1860, e miratuar më 8 janar, ka mbetur deri tani vetëm në letër. "Gaza po digjet", tha ai për të justifikuar vendimin e tij. Ai shprehu gjithashtu keqardhjen që kryeministri izraelit, Ehud Olmert, e ka kundërshtuar rezolutën duke u kundërpërgjigjur me të drejtën e shenjtë të Izraelit për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve të tij."Është paradoksale që Izraeli, që ia detyron ekzistencën pikërisht një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (1948), të tregohet aq mospërfillës për rezolutat e OKB-së", deklaroi d'Escoto