E Shtunë, 31 Tetor 2026

OMONIA: Integrimi i Shqipërisë kalon nga Greqia

12/01/2009  Deputeti grek kërkon regjistrimin e minoritarëve

GJIROKASTËR- Krerë të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe OMONIA-s akuzojnë qarqe të caktuara shqiptare për ndërmarrjen e një fushate të gjerë denigruese ndaj organizatës së minoritetit grek. Akuzat janë bërë gjatë takimit në përvjetorin e 18 të festimit së kësaj organizate, ndërsa në të njëjtën linjë kanë qenë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ai i OMONIA-s, Vasil Bollano, dhe deputeti grek i PASOK, Mihalis Pandullas. “Mbështetja që më jepni është një përgjegjësi për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave tuaja. Shumë herë dhe me qëllim të keq shumë qendra vendimmarrëse dhe interesash i janë kundërvënë OMONA-s dhe udhëheqjes së saj në mënyrë të paprecedent nga një vend që rrugëton drejt Evropës. U bënë shumë përpjekje për ta stigmatizuar negativisht dhe në mënyrë ekstreme si një organizatë që përpiqet për destabilizimin e vendit”, është shprehur Bollano në fjalën e tij. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në fjalën e tij. “OMONIA gjatë kësaj periudhe ka hasur në një fenomen, pasi mbi të, mbi kryetarin dhe udhëheqjen e saj u shpall luftë, u hodh baltë, shpifje dhe demonizim nga shumë mjete informuese në Shqipëri, nga forume politike, analistë dhe pjesë të opinionit publik se gjasme OMONIA është shkop nën rrota në integrimin evropian të Shqipërisë, në momentet që zhvillohet totalisht e kundërta. Në dilemën se ç’duhet të bëjmë të bashkohemi me partitë e tjera ose jo, duhet të vazhdojë binomi OMONIA-PBDNJ, pasi askush nga përfaqësuesit e tjerë të minoritetit grek nuk ka ngritur shqetësimet e këtij komuniteti”, ka theksuar Dule. Ndërsa deputeti grek i PASOK-ut, Mihalis Pandulas, ka shprehur mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë, por kjo e fundit duhet të plotësojë detyrimet e saj ndaj minoritetit grek. “

“Në 2003 presidenti i atëhershëm Stefanopulos kishte deklaruar se perspektiva evropiane e Shqipërisë kalon domosdoshmërish nga Greqia, duke nënkuptuar sigurisht që Greqia është i vetmi shtet evropian që beson në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe e mbështet me sinqeritet. Por, njëkohësisht Shqipëria në këtë proces ftohet të plotësojë detyrime konkrete në favor të minoritetit grek si: sigurimi i pronës, arsimimit, regjistrimin e popullsisë pa asnjë masë që do t’i heqë secilit të drejtën të mos deklarojë kombësinë, gjuhën dhe besimin, pjesëmarrjen e anëtarëve të minoritetit grek pa asnjë paragjykim në administratën publike etj”, ka deklaruar Pandulas. Kjo kërkesë duket se është një strategji e hershme, ku shpesh herë dëgjojmë se personat marrin pension të posaçëm për t’u quajtur minoritarë.

E. Molla

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›