E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi është prioritet i padiskutueshëm

12/01/2009  Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon angazhimin për liberalizimin e vizave

BE beson tek Shqipëria pasi ka kryer reforma të guximshme, të cilat konsiderohen frymëzuese

Ministria e Punëve të Jashtme thekson se procesi i shumëpritur i liberalizimit të vizave është sot prioritet i padiskutueshëm dhe pjesë integrale e dialogut politik midis vendit tonë dhe Bashkimit Evropian. Për ministrinë mazhoranca e djathtë parlamentare, e cila po mundëson anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe po e afron çdo ditë e më shumë me Bashkimin Evropian ka besimin e Komunitetit Evropian dhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Në një deklaratë të ditës së djeshme, MPJ shprehet se ky besim është tërësisht në funksion të përmbylljes me sukses edhe të procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë, të cilët dëshirojnë të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së. Ministria e Punëve të Jashtme përmes një deklarate për shtyp i kërkon opozitës së majtë parlamentare që në këtë kontekst të pranojë realitetin dhe të mbajë qëndrime më konstruktive në dobi të procesit. Për ministrinë forcat e majta opozitare duhet të angazhohen në të mirë të të gjithë procesit dhe të japin ndihëm e nevojshme. Për Ministrinë e Punëve të Jashtme Bashkimi Evropian dhe të gjitha institucionet e tij vlerësojnë Shqipërinë “si vendin që ka kryer reforma të guximshme, të cilat Brukseli i konsideron frymëzuese për vendet e tjera të rajonit”. Duke nënvizuar angazhimin e plotë në funksion të liberalizimit të vizave MPJ nënvizon se BE beson dhe mbështet vendin tonë në këtë proces mbështetur në arritjet dhe reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit. “Kjo sepse Shqipëria ka luftuar me sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo sepse Shqipëria ka luftuar me sukses trafiqet dhe sot disponon një sistem efikas të menaxhimit të integruar të kufijve”, thuhet në deklaratën e MPJ-së. Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se mbështetja vjen edhe për faktin se Shqipëria është sot një vend me stabilitet të lartë ekonomik, politik dhe social dhe që po përmbush të gjitha detyrimet e saj në rrugën drejt integrimit evropian. Sipas njoftimit për shtyp, mbështetja nga strukturat e BE-së vjen për faktin se Shqipëria ka luftuar me sukses trafiqet dhe sot disponon një sistem efikas të menaxhimit të integruar të kufijve. “Kjo sepse Shqipëria arriti të realizojë prodhimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike me modelin më të përparuar në Evropë dhe javën që vjen nis shpërndarja e tyre. Kjo sepse Shqipëria ka nënshkruar dhe zbaton pa asnjë hezitim marrëveshjet e ripranimit me të gjitha vendet”, thuhet në deklaratën e MPJ-së. Për institucionin e diplomacisë shqiptare këto arritje të Shqipërisë dhe ky besim që Shqipëria gëzon tek Bashkimi Evropian dhe Komuniteti euro-atlantik janë konfirmuar nga marrja e ftesës, ratifikimet e protokolleve, dhe anëtarësimi i afërt i Shqipërisë në NATO. “Këto arritje dhe përparimi i shpejtë i vendit sollën nënshkrimin e MSA-së me BE-në dhe përmbylljen së shpejti të procesit të ratifikimit të saj të plotë”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë pritet që shumë shpejt Tirana zyrtare të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Gjatë javës së kaluar ka qenë Kryeministri Sali Berisha, i cili në një takim me ambasadoren e Republikës së Çekisë në Tiranë, Marketa Fialkova, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të BE-së nga Republika Çeke për periudhën 1 janar-30 qershor 2009, bëri me dije ambicien për të hedhur hapin e rëndësishëm drejt anëtarësimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›