E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ka dështuar në të gjitha premtimet elektorale

12/01/2009  PS-ja fajëson ekzekutivin për liberalizimin e vizave

Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, është shprehur se Qeveria shqiptare ka dështuar në premtimin elektoral për lehtësimin apo liberalizimin e vizave. Në një deklaratë për mediat Dade tha se sipas një raporti të Komisionit Evropian paraqitur në fund të vitit të kaluar, lidhur me plotësimin apo përmbushjen e të gjithë detyrimeve që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor lidhur me lëvizjen e lirë të shtetasve, Shqipëria është një pozicion aspak të mirë. “Për fat të keq, Shqipëria është e grupuar në grupin e tretë së bashku me Bosnjë-Hercegovinën dhe padyshim vendet e tjera të rajonit Maqedonia, madje edhe Serbia, Mali i Zi e kanë lenë pas vendin tonë. Vendi ynë është i çiftëzuar me Bosnjë-Hercegovinën, e cila dihet që është një vend me një problematikë mjaft komplekse dhe serioze, ndërsa Shqipëria, e cila e ka nisur procesin e integrimeve shumë më herët se të gjitha këto vende, përveç Maqedonisë, për fat të keq ka mbetur e fundit”, ka deklaruar Dade. Sipas sekretares socialiste, Qeveria sikurse ka dështuar në të gjitha premtimet elektorale që i ka paraqitur shtetasve shqiptarë, rezulton e dështuar edhe për lehtësimin apo liberalizimin e vizave. “Ne rezultojmë që edhe këtë vit të mos kemi një lehtësim apo liberalizim vizash me BE. Pra, rezulton të jetë një fluks sapuni, si të gjitha mashtrimet, që Qeveria dhe kjo mazhorancë e Sali Berishës i kanë bërë shqiptarëve”, tha ajo. Për Daden shqiptarët janë më se të ndërgjegjësuar se po afron ora kur kjo mazhorancë do të largohet me votimin plebishitar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›