E Diel, 1 Nëntor 2026

“OPEK, do të plotësojë kërkesat e Shqipërisë me fonde investimesh”

24-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Përgjithshëm të OFID-it, Suleiman Al-Herbish

Fondi i OPEK, i cili ka financuar ndër vite një sërë projektesh në fusha të ndryshme në Shqipëri do të vijojë të jetë i pranishëm edhe në të ardhmen për të investuar kryesisht në infrastrukturën rurale, bujqësi apo në fushën dixhitale. Kjo garanci iu dha Kryeministrit, Sali Berisha nga Drejtori i Përgjithshëm i OFID-it, Al-Herbish përfaqësues i Fondit të OPEK-ut për zhvillimin ndërkombëtar, gjatë takimit të zhvilluar dje në kryeministri.
Kryeministri  Berisha u shpreh se pati një takimin shumë miqësor dhe të frytshëm, “me drejtorin ekzekutiv të OFID-it Suleiman  Al-Herbish, një mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, një partner  i shkëlqyer i vendit tonë, që gjatë këtyre viteve ka financuar me donacionet e tij me dhjetëra projekte në rrugë rurale ujësjellës, kanalizime, spitale moderne, autostrada dhe fusha të tjera, prej mbi 100 milion dollarësh. Al-Herbish vjen në Shqipëri pas vizitës së mëparshme të tij dhe diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin për  vitet  e ardhshme, për përparësitë e këtij bashkëpunimi. Kemi rënë dakord  të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në fushën e infrastrukturës rurale, në fushën e bujqësisë, në transport, në sistemin shëndetësor dhe në fushën e Shqipërisë dixhitale. Këto janë disa drejtime, në të cilat unë i parashtrova Herbish, për bashkëpunimin tonë të ardhshëm, por unë edhe njëherë gjej rastin ti shpreh mirënjohjen më të thellë mikut të shquar, timit dhe të Shqipërisë, për të gjithë mbështetjen  e madhe, ndjenjat miqësore që ka dëshmuar dhe dëshmon ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë”, deklaroi kryeministri Berisha. 
Nga ana e tij, përfaqësuesi i OPEK, Al-Herbis shprehu vlerësimet e këtij fondi për bashkëpunimin me Shqipërinë. Njëkohësisht, Al-Herbis garantoi se OPEK do të plotësojë kërkesat e Shqipërisë për investime në fusha të ndryshme.
“Unë e admiroj popullin shqiptar për vendosmërinë dhe palëkundshmërinë dhe  ju sjell komplimentet më të mira, të miat dhe të kolegeve të mi në Vjenë, të cilët janë shumë krenar për bashkëpunimin që ne kemi me Shqipërinë. Unë dëgjova me shumë vëmendje  prezantimin e Kryeministrit. Ne diskutuam për bashkëpunimin e tanishëm dhe të ardhshëm, për nivelin e bashkëpunimit aktual dhe performancën e bashkëpunimit ne jemi të gjithë shumë të kënaqur. Projektet që ne bashkë-financojmë ecin shumë mire. Dje unë isha në Durrës, u takova me njerëzit dhe pashë rrugët që po ndërtojmë dhe unë i sigurova ata se, ne do të bashkëpunojmë me ta aq sa të mundemi. Në lidhje me bashkëpunimin për të ardhmen, unë i konfirmova kryeministrit  se ne jemi krenarë për bashkëpunimin e ardhshëm me këtë vend dhe ishte shumë e qartë se ne kemi një axhendë të përbashkët, zhvillimin rural, si zhvillim në infrastrukturën rrugore, ndërtimin e ujësjellësve, bujqësi  etj  në zonat rurale, të gjitha këto janë në zemër të biznesit tonë. Unë do të raportoj për takimin me kryeministrin tek mbledhja jonë e komitetit dhe do të bëjë çmos, që të plotësoj kërkesat për të ardhmen e Shqipërisë.  Jam shumë i gëzuar t’ju njoftoj që Kryeministri pranoi ftesën për të na vizituar neve në Vjenë”, deklaroi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›