“Ora” e Brukselit për Maqedoninë
Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, por edhe të shpjegosh se pse nuk ndodhi, nëse nuk ndodh, ka thënë diplomati i njohur britanik, Winston Churchill, në një citat të tij të mprehtë. A ka Maqedonia diplomatë të mirëfilltë në mesin e estabilishmentit politik dhe pushtetmbajtës, që do të ishin vizionarë me pikëpamjet e tyre për vendin që është katandisur në mjerim, për të nxjerr atë nga një përbaltje nacionaliste, karakteristike ballkanike, tashmë të perënduar në meridianët evropianë dhe të hap perspektiva konkrete në kuadër të proceseve integruese euro-atlantike? Ata që e drejtojnë sot Maqedoninë pretendojnë se janë të tillë, kanë gojën plot me “evropeizëm” dhe “NATO-izëm”, por veprat që lënë pas vetes janë shkatërrimtare, regresive, populiste, denigruese dhe jovizionare për të ardhmen e saj.
Mbase vendi mund të ketë personalitete të tillë, të urtë dhe largpamës, por ata kanë përqafuar heshtjen si mjet komunikimi. Heshtja është bërë defekti më i madh i shprehjes së mendimeve dhe të kundërshtimit të situatave që kërcënojnë vizionet e çdo populli që ka ideal progresin.
Në Maqedoni, në këtë vend “të lazdruar” ballkanik, koha nuk po punon më për interesat e saj “strategjike” retrograde, por ajo e ka mbërthyer dhe ngulfatur frymën e saj ideologjike, si jo civilizuese, që nuk përkon me proceset e botës së zhvilluar perëndimore. Qendrat e vendosjes politike-diplomatike në Bruksel dhe Uashington e kanë vërë në “cejtnot” Maqedoninë, kanë kurdisur “orën” e dinamikës së veprimeve politike-shtetërore të këtij vendi “zonë tamponi” ballkanik, mes pesë fqinjëve që rrethojnë (dy shqiptarë), që të përcaktohet nëse dëshiron të marrë perspektivën evropiane apo të futet në qorrsokak. Kancelaritë evropiane të vendosjes politike tashmë duket që kanë humbur durimin dhe kanë parashtruar një hark kohor për këtë shtet që mban stabilitetin në saje të sjelljes konstruktive të faktorit politik shqiptar, brenda dhe jashtë, për të vendosur jo vetëm në mënyrë verbale, por edhe në praktikë, përcaktimin e vet qytetërues.
Raporti i progresit i Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë, i shpallur në gjysmën e parë të tetorit të sivjetmë, përkundër vetëkënaqësisë tej mase të politikanëve maqedonas, madje edhe shqiptarë, për verifikim e përparimeve që janë bërë në këtë shtet me reformat, është në të vërtetë një “orë” e kurdisur “pesë më dymbëdhjetë” e Brukselit, për të dalë në shesh sinqeriteti dhe diskrapanca mes fjalëve dhe veprave. Estabilishmenti maqedonas nëse e ka mësuar leksionin (është hera e katërt që merr raport pozitiv nga KE dhe propozim për caktimin e datës për negociata me BE-në, por ende nuk ka datë për negociata), atëherë nga fjalët duhet të kalojë në vepra. Që të jetësohet kjo punë, raporti duhet të lexohet me tërë dimensionin e vet, por jo vetëm me pjesët që japin përkëdhelje. Duhet të kuptohet një herë e përgjithmonë se diplomacia perëndimore nuk ndanë “karremin nga shkopi”, ata shkojnë së bashku. Nëse kapet vetëm i pari, atëherë nuk është kuptuar porosia.
Në fillim të dhjetorit do të mblidhet Këshilli i Ministrave i vendeve anëtare të BE-së, pos të tjerash, për të shqyrtuar edhe mundësinë e dhënies së datës për negociata Maqedonisë për aderim në BE, por nuk është larg mendjes se sikundër tri herëve të tjera, edhe kësaj here Greqia mund ta bllokojë këtë nismë që del nga propozimi i KE-së, për shkak të kontestit të emrit me Maqedoninë, aq më shumë për shkak të kryeneçësisë, arrogancës dhe mungesës së gatishmërisë për kompromis të saj, njësoj sikur që mendon kreu maqedonas për palën greke.
Diplomacia greke i dërgoi kohë më parë në adresë të Qeverisë së Maqedonisë një Memorandum mirëkuptimi, që nuk i shkon fort përshtat palës maqedonase. Ky memorandum është një uverturë për “lëshim pe” nga pala greke për të dhënë vizën e fillimit të negociatave të Maqedonisë me BE-në, ku vetoja greke do ta pamundësonte këtë gjë. Tash topi është në anën maqedonase, ku ende ka heshtje. Përgjigja duhet të arrijë para Samitit të ministrave të BE-së. Pala maqedonase pretendon një përgjigje diplomatike: Memorandumi as të hidhet e as të pranohet, duke harruar se në diplomacinë e të mëdhenjve aplikohet oferta: “Merre ose lere!”.
Është ky një udhëkryq për Maqedoninë, i cili nëse kapërcehet me sukses, përfundimisht do të triumfojë në planin politik dhe diplomatik, në të kundërtën projekti madhor euro-integrues do të bëhet pikë e pesë.
Ku është këtu roli i faktori politik shqiptar? Partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që në sintagmën e vet ka integrimin, përkundër dëshirës së madhe, angazhimit të kreut partiak, të zëvendëskryeministres shqiptare për euro-integrime, të ministrit shqiptar të Mbrojtjes dhe të ministrave të tjerë, megjithatë ndikimi përfundimtar është minor. Zaten, shqiptarët edhe nëpërmjet partive të tyre opozitare, si PDSH, RDK, DR e disa më të vogla, pa përjashtim janë të përcaktuar për Maqedoninë në NATO dhe BE, ku e shohin perspektivën e tyre të zhvillimit dhe të unifikimit me kombin amë. Por problemi është shumë më i thellë, jo vetëm për shkak të kontestit me Greqinë për emrin, si pengesë kryesore për euro-integrime, por edhe për shkak të hamendjeve përcaktuese të kreut maqedonas ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, si dhe proceseve gjeostrategjike “joshëse” jashtë aleancës euro-atlantike, ndonëse kjo asnjëherë nuk thuhet hapur. Për këtë flasin udhëtimet zyrtare të pushtetmbajtësve maqedonas në Kinë, Indi, Rusi e të tjera vende, për të thithur investime për vendin, por edhe për të sinjalizuar BE-në dhe NATO-n për alternativat e mundshme për këtë vend të vogël ballkanik.
Nëse Maqedonia kalon me sukses testin jetik në dhjetor, me marrjen e datës për negociata me BE-në, këtij vendi do t’i imponohet zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë “në ecje”, ashtu siç dëshironte pala maqedonase, por kjo do të bëhet me obligim që procesi i zgjidhjes së kontestit të kryhet në pjesën e Kapitullit të parë të negociatave, që nënkupton gjashtë muaj deri një vit e gjysmë. Nëse gjatë kësaj kohe do të ngec zgjidhja e kontestit, atëherë do të bllokohen edhe bisedimet me BE-në. Pra, caktimi i datës nga BE-ja do të jetë i kushtëzuar me një “tajming” të caktuar, që duhet respektuar. Gjithë këtë projekt do ta shtyjë komisionari i lartë për zgjerim, Shtefan Fyle, i cili mbase do të marrë disa komponentë nga “modeli i Bushit” gjatë ftesës së Maqedonisë në Samitin e NATO-s më 2008 në Bukuresht.