Përplasja nuk ka të bëjë me Damir Fazlliçin
Institucionet shqiptare ia kanë nisur kacafytjes së radhës që sillet rreth emrit të një personazhi kinse misterioz, si Damir Fazlliç. Objekti legal i kësaj përplasjeje nuk duket se ka ndonjë bazë të qartë, por një emër si ai i Damir Fazlliçit është intrigues. Le të kuptohemi, nuk ka ndonjë të veçantë emri Damir Fazlliç, në vend të tij mund të ishte çdo personazh që do të mbartte një emër joshqiptar. Është fare e lehtë të ngresh një fabul që ka si personazh një qytetar të huaj. Madje një të huaj që ka mik Kryeministrin, që bën biznes në Shqipëri, që rastësisht filmohet teksa policia e një vendi tjetër e shoqëron si dëshmitar. E çfarë nuk mund të thuhet për një njeri të tillë, mashtrues, sekser, biznesmen, lobist e deri tek agjent i shumëfishtë. Fabula merr udhë vetë. Media trillon e fabrikon informacion çdo ditë, opozita e përforcon në podiume konferencash. Kur një ditë, befas, mbërrin vetë ky i huaj misterioz në Tiranë dhe sqaron pozicionin e tij. Të gjithë me veshë të ngritur presin fjalët magjike të këtij superpersonazhi ballkanik. Ai bën të vetën, thotë madje edhe si e ka njohur liderin e opozitës... Por Fevziu është dashamirës, e shkurton këtë pjesë për të mos rënduar ndërgjegjen e askujt. Deri këtu gjithçka është në rregull. Një shoqëri demokratike pranon gjithçka, aq sa botohen edhe libra që pretendojnë se edhe 11 shtatorin na e paskan bërë vetë amerikanët. Paranoja është pjesë e diskursit publik në një sistem që pranon fjalën e lirë. Kjo është furtuna e radhës në debatin publik. E vetmja gjë që nuk shkon në këtë rast, është përfshirja e institucioneve shtetërore. Prokuroria me një zell të paparë ndonjëherë, nxjerr një urdhër, madje me telefon, për ta ndaluar këtë personazh misterioz. Prokurorët thonë se kanë të drejtën e tyre të marrin ta pyesin këtë personazh. Ishte hera e parë në karrierën time si gazetar që dëgjoja se prokuroria kishte nisur hetimet kryesisht me fakte të marra nga mediat. Pavarësisht se këtë kompetencë e ka të drejtë ligjore, prokuroria nuk e kishte ushtruar më parë, edhe për raste që përfshinin veprën penale të vrasjes. Edhe kjo është e pranueshme. Por nguti me të cilin prokuroria ka kryer veprimet është vështirësisht i justifikueshëm. Fatmir Mediu ka qëndruar tre muaj pa imunitet dhe prokuroria nuk e ka marrë në pyetje për një çështje që prek vrasjen e 26 qytetarëve shqiptarë. Si është e mundur që prokuroria të hapë një çështje penale, të ngrejë një akuzë, të përcaktojë një të pandehur, pas tri ditësh shkrime në gazetat shqiptare. Tendenca ulëret me të madhe në këtë mes. Ka kriminelë të dënuar me burgim të përjetshëm në këtë vend, për çështje të bujshme madje, dhe prokuroria nuk ka nxjerrë ende urdhër për sekuestrimin e pronave të tyre. Ka denoncime për tjetërsime skandaloze pronash dhe prokuroria i ndan ato me hajdutët. Kjo është e pafalshme. Duket qartë se kjo nuk ka lidhje me Damir Fazlliçin si person, si sekser, si biznesmen apo çfarëdo që të jetë. Kjo ka të bëjë me Damir Fazlliçin si mik i Kryeministrit shqiptar dhe si lobist i njohur në rajon. Çudi që mediat në SHBA nuk transmetojnë pamjet e Damir Fazlliçit përkrah ish-Sekretarit të Parë për Sigurinë Kombëtare, Tom Rixh. Do të ishte skandal i paparë nëse do të gjykojmë me kutin e Edi Ramës, pasi ky personazh përbën rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Këto janë argumente qesharake. Një lobist nuk mund të akuzohet se takon apo ka miqësi me personazhe të rëndësishme të politikës. Një biznesmen nuk mund të akuzohet se blen tokën në një vend ku e ka kuptuar se do të ndërtohet parku energjitik. Një mik i Kryeministrit nuk mund të akuzohet se me çfarë njerëzish ka zgjedhur të bëjë biznes. Një biznesmen nuk mund të akuzohet për transaksionet që bën me kompanitë e tij. Nëse ka një vepër penale të konsumuar nga Damir Fazlliëi, prokuroria të dalë të na e thotë. Përndryshe do të ishte në turpin e saj që një institucion kaq i rëndësishëm i shtetit përfshihet si aktor i njëanshëm në një debat politik. Mbi atë institucion rëndojnë mëkate të mëdha, ky do të ishte i tepërt. Ina Rama doli dje para mediave, në një takim të improvizuar, duke na mbajtur leksione për momentet historike në të cilat ndodhet Shqipëria, por pa thënë asgjë konkrete se për çfarë akuzohet Fazlliçi, çfarë krimi në flagrancë ka konsumuar ky njeri, që na u dashka ndaluar pa njoftim. Neve ndoshta nuk na pëlqen aspak fytyra e Damir Fazlliçit, por kjo nuk i jep të drejtën e veprimeve arbitrare asnjë institucioni, aq më pak prokurorisë. Shqetësimi në këtë rast nuk është për Damir Fazlliçin, por për çdo qytetar shqiptar apo të huaj që nuk e ka më sy të mirë opozita dhe që nesër mund të bëhet objekt i arbitraritetit absurd të prokurorisë.