E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/ Statistikat, FMN, dhe shumë të tjerë

Nga Milva Ekonomi
Në të gjitha vendet e pavarura, pavarësisht nëse janë të mëdhenj apo të vegjël shfaqet nevoja për të pasur statistika zyrtare.Termi statistika zyrtare, do të thotë grumbullim, përpunim dhe shpërndarje të statistikave ekonomike, sociale dhe mjedisore nga një agjenci publike. 

Detyrën e saj, ajo e kryen në përputhje me "Parimet Themelore të Statistikave Zyrtare" të miratuara nga Komisioni i Statistikave i Kombeve të Bashkuara në 1994. (Shqipëria gjithashtu i ka nënshkruar parimet themelore).
Thënë këtë, kuptohet që në respektimin e kënaqshëm të këtyre parimeve, madhësia e vendit ka një rol determinues. Vendet e vogla kanë një buxhet të vogël, administratë dhe strukturë qeveritare të limituar, ndaj prodhimi i statistikave zyrtare është një përgjegjësi e madhe. Për të prodhuar statistika zyrtare të kënaqshme në një vend të vogël, duhet patjeter të vendosen disa parakushte të nevojshme, si një legjislacion bashkëkohor, strukturë organizative e aftë të ndjekë prodhimin e statistikave, dhe një menaxhim efikas, duke synuar vendosjen e prioriteve në përputhje me informimin e drejtë dhe në kohë të publikut.
Është e ditur tashmë që statistikat janë inpute të rëndësishme në vendimmarrjen individuale dhe kolektive, si në planin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Bile viteve të fundit, nga ana e Agjencive Ndërkombëtare, ka një vëmendje gjithmonë në rritje për statistikat zyrtare, sidomos në përshkrimin e trendeve dhe vendosjen e objektivave të zhvillimit.
Të gjithë vëmë re se në kushtet e sotme të "Shoqërisë së informacionit", një sasi e madhe të dhënash merren nga interneti, media si dhe nga publikimet që bëjnë shoqëri të interesuara për informacion mbi tregun, duke konkurruar kështu çdo ditë statistikat zyrtare.
Pra, për një agjenci të vogël statistikore, si ajo e Shqipërisë, sfidat janë shumë të mëdha. Pasi të realizojë kuptimin e drejtë të standardeve ndërkombëtare, duhet që të krijojë një set prioritesh dhe t'i zbatojë këto nëpërmjet një stafi të specializuar. Por pikërisht këtu qëndrojnë vështirësitë, buxheti është i pamjaftueshëm për të grumbulluar të dhënat e nevojshme për matjen e ecurisë makroekonomike të vendit, stafi është i vogël në numër dhe ekspertiza është shumë e përqendruar, dhe prioritetet që janë ende të pambrojtura nga standardet ndërkombëtare nuk i bëjnë dot ballë presionit politik.
Ndër vite roli që kanë luajtur agjenci të tilla, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Bashkimi Europian, në ndihmë të Agjencisë Statistikore të Shqipërisë, ka qenë jo vetëm asistencë financiare në grumbullimin e të dhënave, por edhe asistencë teknike, në trasferimin e njohurive të llogaritjes së indikatorëve. Këto dije të statistikave aplikative janë shumë pak të zhvilluara ende sot në universitetet shqiptare, kështu që edhe numri i atyre që i kanë përvetësuar është i vogël. Masa kritike e specialistëve me dijeninë e këtyre standardeve është zvogëluar shumë, sepse reformat në administratë 3 vjet më parë e ulën numrin e tyre. Sot kuptimi i vërtetë i parimeve themelore të Kombeve të Bashkuara, duket për të ardhurit e rinj, si një dije arkaike, informacioni nuk është lehtësisht i aksesueshem, të dhënat elementare nuk merren dot më. Por falë teknologjisë dhe kuptimit të vërtetë që kanë agjencitë ndërkombëtare të parimeve themelore, disa dataset, për të cilat ata edhe kanë financuar, i gjen në websitet e tyre. Kështu që kërkuesit mund te vazhdojnë punën e tyre, por tashmë produkti i tyre i shërben kërkimit dhe jo politikëbërjes, se të dhënat e marra në këtë formë nuk janë të përditësuarat.
Prej kohësh, agjencitë ndërkombëtare kanë rënë dakord të mbikëqyrin fusha të veçanta të kooperimit ndërkombëtar statistikor, kështu p.sh, Fondi Monetar Ndërkombëtar ruan mandatin e mbikëqyrjes së të dhënave makroekonomike dhe të inflacionit. Për vendet që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian, dhe përpiqen të përafrojnë standardet e tyre me BE-në duke adaptuar gjithmonë e më shumë në realitetin kombëtar pjesë të Acquis Communitaire, roli i Fondit Monetar Ndërkombëtar tjetërsohet; p.sh matja e inflacionit i kalon në mbikëqyrje Komunitetit Europian sipas standarteve statistikore të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit. Por ama mandati i monitoruesit të standardeve të të dhënave makroekonomike i mbetet përsëri Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Kështu janë këto punët e botës së madhe, ka ca rregulla më të forta se realitetet tona të vogla.
Sfidat e reja të Shoqërisë së Informacionit, janë ende larg perceptimit të grumbullimit statistikor. E gjithë administrata shqiptare vuan nga mospasja e një instrumenti menaxhimi operacionesh në IT, por aq më shume një agjenci statistikore. Krijimi i metadatave, që do të lejonte transparencën e vërtete të informacionit nuk ndodhi. Ëndrra për të rritur cilësinë dhe sasinë e informacionit të raportuar në GDDS (program i ndërtuar nga FMN ku të gjitha vendet raportojne, si, kur dhe sa shpesh grumbullojnë informacionin për të prodhuar një indikator statistikor), duket se do të marrë shumë kohë për t'u bërë realitet.
Mbase jo rrallë mund ta keni dëgjuar thënien e Benjamin Disraeli: "Ka tre lloj gënjeshtrash; thjesht gënjeshtra, gënjeshtra të këqija dhe statistika". Dhe kjo përdoret sa herë që një fenomen i matur, rezulton i ndryshëm nga perceptimi ynë. 10 vjet më parë, analiza e plotë e shkaqeve të vdekjes tregoi se në Elbasan, edhe pse besohej që në vend të parë do të ishin vdekjet nga kanceri i mushkërive, rezultoi të ishin ato të sëmundjeve kardiovaskulare, dhe kjo mbeti e tillë statistikisht edhe në vitet në vijim.
Por besoj se duhet të keni dëgjuar edhe thënien e njërit prej Presidentëve të Harvard, Lowell: "Statistikat janë si byrekët me mish, në qoftë se di çfarë ingredientësh ke përdorur, ai bëhet i mire në varësi të personit që e gatuan"
Po ju, kë do të besonit më shumë?

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›