E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bashkëjetosh në Ballkan!

Dikur dukej një mision i pamundur. Madje, edhe politikanët që promovonin bashkëjetesën, dukeshin të stilit të vjetër të mendësisë komuniste. Por bashkëjetesa kësaj here duhej të kalonte testin e vështirë të ringjalljes së nacionalizmit të përgjumur ballkanas. Në fakt, duke menduar atë që fqinjët ballkanas i kanë bërë njëri-tjetrit në këto 20 vitet e fundit, gjendesh mes tyre në një fushë të Malit të Zi. Është jo shumë larg Shqipërisë, aty ku një këngëtare e njohur amerikane ka përzgjedhur të bëjë performancën e radhës që kushton 7 milionë euro. Aty në fushë, në Plazhin e Xhazit, njerëz nga veriu e jugu, lindja e perëndimi i Ballkanit ishin së bashku. Dhe mjaftonte vetëm një këngëtare amerikane që t’i mblidhte ata bashkë, nën të njëjtat ritme, të njëjtat shije, 50 cm larg nga njëri-tjetri. Është aq e vështirë që këta popuj të mblidhen bashkë. Ka qenë dhe mbetet kështu. Të gjithë synojnë diçka të tjetrit, të gjithë qajnë nga “padrejtësitë” ndërkohë që ndërgjegjet janë jo të pastra. Ballkanasit, e sidomos ish-jugosllavët, kanë diçka të përbashkët. E vëmë re në takime, konferenca, trajnime. Presidenti serb, Tadiç, një vit më parë në KE po mundohej të mblidhte mbështetje nga ish-hapësira jugosllave, duke thënë se “ne flasim të njëjtën gjuhë... kemi të njëjtën kulturë...” Po varret që i hapën njëri-tjetrit serbë e sllovenë, serbë e boshnjakë, serbë e kroatë, serbë e kosovarë... vetëm maqedonasit dhe malazezët shpëtuan! Ballkani ka dhe do të ketë një integrim të vështirë. Asnjë nga liderët në vendet respektive nuk e thotë këtë. Dhe askush nuk thotë se duhet të integrohemi njëherë me njëri-tjetrin, që të integrohemi më pas në Evropë. Gjermanët dhe francezët e zgjidhën në një mënyrë problemin mes tyre, më pas ata vendosën të jetojnë bashkë në familjen evropiane. Por në Ballkan nuk ndodh kështu. Dy më të shtypurit në 20 vitet e fundit, kosovarë e boshnjakë, ende nuk e kanë një status para BE-së. Ata janë thjesht dy etnitete, fati i të cilëve është thjesht një temë për t’u konsumuar në tavolinë. Dhe është një “dash” aq i madh saqë mund të të ngopë për vite me radhë. Por Evropa të paktën është e qartë. Ajo s’ka dhënë data... pra e bën lojën si do vetë. Ata që nxitojnë, janë liderët e rajonit, thuajse të gjithë. Popujt e tyre janë fryrë nga terminologjia integrimore, si një lugë e zbrazët që të ngop përditë. Ende mbizotëron nacionalizmi, ai më i keqi. Ende jeton mendësia e vjetër komuniste. Ende gjallon krimi dhe korrupsioni. Ende arsimi është një handikap që ka goditur Ballkanin Perëndimor. Një tablo e zymtë që jo 2014-a, por edhe 2040-a shumë vështirë se e kap të integruar. Ndaj njerëzit i bashkon vetëm kënga, ahengu, pushimet, plazhi... ata nuk i bashkon politika. Ajo i ndan. Një kompani shqiptare u sugjeroi personave që do të çonte në një vend fqinj, që të kishin kujdes nga nacionalizmat e tepruara... do t’i hapnin punë vetes, fundi i fundit! Por atje asnjë s’ndodhi, se njerëzit kishin vajtur për diçka që i bashkonte dhe jo i ndante. Vetëm atëherë kur BE-ja dhe fryma e saj 50-vjeçare të bëhen si këngëtarja 50-vjeçare që mblodhi 50 mijë vetë në një shesh të Malit të Zi, vetëm atëherë ne do të integrohemi. Do jetojmë nën çatinë e kaltër me yje të verdhë..., por duke respektuar edhe copëzën e flamurit tonë dhe të gjitha copëzat e flamujve që do kemi mbi fytyrë kur të flemë. Por kjo është larg. E para, se klasat politike nuk e duan integrimin e shpejtë që do t’i linte jashtë loje, dhe e dyta, sepse Evropa nuk e do integrimin pa zgjidhjen e problemeve rajonale. Ndaj “short cut”-et amerikane na pëlqejnë më shumë, se ato e zgjidhin problemin, ose tentojnë ta zgjidhin e nuk ia lënë kohës dhe aktorëve. Ndaj bashkëjetesa do të ekzistojë vetëm në plazhet e Budvës apo Dubrovnikut, në Brezovicë apo Mavrovë, në Durrës apo Sanxhak... dhe aspak në sallonet e Beogradit, Zagrebit, Sarajevës, Prishtinës, Tiranës apo Shkupit... Ajo s’do ngrihet shpejt në këmbë, pasi ka marrë plagë të rënda në dekadën që shkoi... nga mostra që dhanë e po japin shpirt në Hagë! Sigurisht, nëse u ka mbetur ndonjë grimë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›