E Diel, 1 Nëntor 2026

Partneriteti në kohët moderne

Gjermania dhe Rusia duan të zgjerojnë partneritetin e tyre përkundër mospërputhjeve të tyre. Dhe ato nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e Gjeorgjisë.

"Partneritet në mes të Gjermanisë dhe Rusisë" ishin fjalët boshe që u dëgjuan më shpesh gjatë Dialogut të sivjetmë të Petërburgut dhe po ashtu gjatë konsultimeve qeveritare gjermano-ruse që u zhvilluan në të njëjtën kohë. Kur politikanë dhe biznesmenë gjermanë e rusë, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile takohen në të njëjtën kohë, shumë shpejt vërehet se sa shumë interesa të përbashkëta kanë këto dy vende. Në raste të tilla flitet për Rusinë e pasur me lëndë të parë dhe Gjermaninë si vend industrial. Dialogu i Petërburgut kishte gjetur kështu kryefjalën e qëlluar këtë vit: "Partneriteti në kohën e modernizimit".

Megjithatë edhe pse me fjalën 'modernizim' kuptohet se çfarë mendohet prapëseprapë ajo interpretohet në forma të ndryshme. Pala ruse me modernizim nënkupton kryesisht modernizimin ekonomiko-teknik si për shembull rritjen e eficiencës energjitike apo zhvillimin e nanoteknologjisë. Kundrejt këtyre projekteve nuk ka antipati as pala gjermane. Megjithatë, ajo modernizimin e konsideron si një detyrë shumë më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, pa lënë mënjanë sinqeritetin shoqëror, transparencën e institucioneve shtetërore dhe para së gjithash, ndërtimin e shtetit ligjor. Por këto aspekte nuk janë shumë të rëndësishme për elitën ruse dhe sipas tyre ata nuk e dinë saktë se çfarë do të thotë kjo konkretisht. Për më tepër, në këtë mes ata shohin një përpjekje për çilimizim dhe një përzierje në punët e brendshme të një shteti tjetër.

Por nuk është vetëm modernizimi që shihet me sy të ndryshëm. Edhe ndryshimet globale që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik vlerësohen ndryshe: Në Rusi, koha prej vitit 1989 deri në vitin 1991 konsiderohet si zhvillim negativ. Fuqia botërore gjatë kësaj kohe ka humbur zonat e saj të ndikimit në botë dhe në veçanti në Evropën e Mesme dhe Lindore si dhe në hapësirat postsovjetike. Sipas pikëpamjes ruse, kjo disfatë në politikën e jashtme është e lidhur ngushtë me veprimet e strukturave perëndimore si Bashkimi Evropian dhe NATO në rajonet që dikur kontrolloheshin nga Bashkimi Sovjetik.

Kjo në Rusi shihet si kërcënim. Me këtë ka të bëjë edhe qëndrimi i ashpër antiamerikan, me këtë ka të bëjë edhe reagimi ushtarak në Gjeorgji, pasi pala ruse nuk dëshiron të humbas më rajone të cilat tradicionalisht janë parë si 'ruse'. Me këtë ka të bëjë edhe iniciativa ruse për një marrëveshje kolektive të sigurisë në Evropë, e cila të paktën do të përcaktonte zonat aktuale të ndikimit.

Në Gjermani nga ana tjetër, pranohet që për Rusinë nuk ka qenë e lehtë humbja e zonave të ndikimit, por kohën prej vitit 1989 deri në vitin 1991 gjermanët e shohin si pozitive. Pala gjermane ka përshëndetur shpërbërjen e perandorisë ruso-sovjetike e cila mundësoi me 3 tetor ribashkimin e Gjermanisë. Tani Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel reagimin rus në konfliktin e Kaukazit e sheh si jo me vend dhe angazhohet për ruajtjen e tërësisë territoriale të Gjeorgjisë, çka bie sërish në kundërshtim me palën ruse.

Këto dy pengesa nuk u evituan as kësaj radhe në bisedimet në kuadër të Dialogut të Petërburgut. Por një gjë mbetet e qartë. Pa bisedime, këto barriera nuk do të mund të tejkalohen asnjëherë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›