E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDERKOMBETARE/ BE dhe frika e emigracionit

Emigracioni e ka futur në siklet Bashkimin Europian. Ndërsa popullsia po shkon drejt plakjes, BE-ja ka nevojë për më shumë forcë punëtore. Por vendet e Bashkimit Europian kanë pranuar deri tani një shifër të lartë emigrantësh të huaj, që po përpiqen shumë të integrohen. 

Ndjesitë negative ndaj pranimit të emigrantëve të huaj janë në rritje dhe mund të rriten edhe më shumë, pasi ekonomia është në rënie dhe papunësia në rritje. Ndërkohë, qindra emigrantë të paligjshëm rrezikojnë jetën duke u përpjekur të arrijnë në brigjet e BE-së me anije të vjetra çdo javë. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi e ka vendosur emigracionin në qendër të vëmendjes së presidencës franceze të BE-së. Si ministër i Brendshëm, ai mori masa të ashpra kundër emigracionit, gjë që e ndihmoi atë të siguronte më shumë vota në zgjedhjet presidenciale në Francë në vitin 2007.
Pakti i ri për emigracionin dhe azilin duhet të miratohet në një samit të BE-së në mesin e tetorit, sipas idesë së tij. Justifikimi kryesor është se duke pasur parasysh lëvizjen e lirë të njerëzve në BE, politikat e ndryshme kombëtare marrin kuptim, veçanërisht në zonën e Shengenit. E kaluara na sugjeron qëndrime të njëjta: emigracioni duhet të jetë më selektiv (një Kartë Blu e ngjashme me Kartën e Gjelbër amerikane, ka për qëllim të tërheqë më tepër emigrantët profesionistë në BE), ndërsa emigracioni ilegal duhet të jetë nën kontroll më të rreptë, me më shumë kontrolle kufitare dhe kthime emigrantësh. Ideja e re është të mos ketë më amnisti masive për emigrantët e paligjshëm si ajo e vitit 2005 në Spanjë. Danimarka ka fituar mbështetje për gjuhën e ashpër që kërkon kufizimin e ligjeve për lirinë e lëvizjes, që inkurajonin emigracionin e paligjshëm. Në një masë lehtësuese për Maltën, vendet që presin më shumë emigrantët do të ndajnë këtë barrë me vendet e tjera të bllokut. Azili dhe emigracioni janë në kompetencat e BE-së që prej miratimit të traktatit të Amsterdamit në vitin 1997. Planet e punës katërvjeçare u miratuan në Tampere në vitin 1999 dhe në Hagë, në vitin 2004; një i tretë pritet të miratohet nën presidencën suedeze të BE-së vitin e ardhshëm.
A është pakti i ri një shenjë e pakënaqësisë franceze me procesin? Eurokratët shpresojnë se kjo do të jetë një nxitje e re. Por ajo do të shkaktojë edhe më shumë shqetësim në bashkëpunimin e drejtpërdrejtë mes qeverive, duke e përjashtuar disi Brukselin.
A do të ketë ky pakt më shumë ndikim praktik? Burokratët nuk mund të parashikojnë se sa krah pune i nevojitet tregut. Europa është në një garë globale për të tërhequr talentet, por shumica e vendeve të BE-së janë në disavantazh nga gjuha. Karta Blu është më pak “e favorshme se të tjera”, parashikon një raport i “Bruegel”, një organizate analitike jofitimprurëse me qendër në Bruksel. Ajo mbulon një periudhë më të shkurtër se Green Card. Pakti rikthen idenë e emigracionit qarkullues, duke u justifikuar me faktin se emigracioni ka anë pozitive për vendet dërguese dhe ato pritëse. Ndryshe nga skemat e mëparshme të punonjësve të huaj, pakti sugjeron një teknologji të përmirësuar, që do të thotë se më shumë emigrantë do të kthehen në shtëpi. Por disa do të qëndrojnë. Sanksionet e parashikuara të paktit për punëdhënësit e emigrantëve të paligjshëm janë të diskutueshme. Biznesmenët ankohen se këto sanksione janë aktualisht të mjaftueshme. Dëbimi i emigrantëve, sanksioni i fundit, mbetet i kushtueshëm dhe ndonjëherë i pazbatueshëm. Vlerësohet se numri i emigrantëve në BE është mes 4 dhe 8 milionëve, me një gjysmë milioni shtesë për çdo vit. Franca ka kthyer mbrapsht vetëm 25.000 në vitin 2007. Një direktivë e re për kthimet, e kritikuar nga qeveritë e disa vendeve në zhvillim, mund të sigurojë më shumë kthime. Deri tani, patrullat kundër emigracionit kanë ndaluar 20.000 persona që përpiqeshin të hynin në vendet europiane nëpërmjet Mesdheut. Por kjo mundet thjesht të spostojë emigrantët në rrugë të tjera më të lehta. Kufijtë jugorë dhe lindorë të bllokut mbeten poroze. Dhe sugjerimet se më shumë rrugë për emigracionin e ligjshëm do të reduktonin kërkesën për atë të paligjshëm, rezultuan të gabuara. Rritja e shpejtë e popullsisë dhe papunësia e madhe në vendet që ndodhen në kufi me BE-në, si dhe mungesa e të ardhurave, e shtojnë kërkesën. Nëse synimi ishte të forcoheshin lidhjet mes emigracionit dhe zhvillimit, përgjigja do të ishte kërkesa për më shumë kufij të hapur. Por kjo shkon përtej asaj që mund të pranojnë votuesit, sipas politikanëve. Tani për tani, iluzioni i kontrolleve më të rrepta për emigrantët konfirmon përfitimet e brendshme politike, edhe pse dështimi i tyre po injorohet.

(Dje në "The Economist")



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›