E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me bankomatët

Fatos Çoçoli

Nuk ka dyshim që vendosja e aparaturave elektronike të marrjes së parave nga llogaritë po elektronike bankare (të quajtura në gjuhën e përditshme “bankomatë”) ndihmon qytetarët. Ata mund të marrin gjatë 24 orëve paratë kesh që u duhen. Por përbën një skandal të madh bllokimi për tre-katër ditë rresht i bankomatëve të bankës “Reifeissen” (e cila bleu ish-Bankën tonë të Kursimeve), ku të paktën në Tiranë mbi 30 mijë punonjës shtetërorë marrin rrogat. Një mik më tregonte se si ishte rropatur gjatë gjithë ditëve të premte, të shtunë dhe të diel të javës së kaluar në 7-8 bankomatë të kësaj banke në Tiranë dhe të gjithë rezultonin të bllokuar. Dhe bëhet fjalë për rrjetin e bankomatëve që mbulon të paktën gjysmën e Tiranës. Ndoshta të gjithë bankomatët ishin të papërdorshëm në kryeqytet kësaj kohe. Po ky mik më njoftonte edhe këtë të hënë që gjendja nuk ishte përmirësuar. Nuk ka mundësi që këta bankomatë të kishin pësuar të gjithë avari. Edhe në Fier, ku provova vetë ditën e hënë, bankomatët e “Reifeissen” nuk punonin. Mund të imagjinohen lehtë problemet e atyre familjeve të thjeshta shqiptare që lidhin jetesën me rrogën e shtetit, të cilave u vonohet me ditë marrja e rrogave. Kanë njerëz të sëmurë që duan ilaçe, vonohen për pagesa te domosdoshme që duhet t’i bëjnë. Hyjnë në siklet e në borxhe kot së koti. Duhet thënë se edhe bankat e tjera me rrjetet e tyre të bankomatëve nuk është se shkëlqejnë në korrektësi. Ka pasur në të shkuarën boll raste bllokimesh. Por asnjëherë nuk është vërtetuar më parë një mungesë kaq e gjatë e shërbimit me bankomatë. Është e pafalshme, madje skandaloze, kjo neglizhencë e bankës më të madhe në vend, nëse mund të quhet neglizhencë. Shumë vetë ngrenë pikëpyetjen se mos vallë kjo vonesë në pagesën e mbi 30 mijë buxhetoreve (duke marrë 350 euro mesataren e pagës, i bie mbi 10 milionë euro) ka të bëjë me lojën në tregun informal të valutave. Pikërisht këto ditë kambistët thonë se dikush bleu në shuma të mëdha dollarin, i cili u ngrit me vërtik. “Ai që ka luajtur, është bërë pa dyshim i pasur. Me dollarët e blerë, po t’i këmbejë tani, fiton të paktën shtatë për qind”. Pra, një fitim rreth shtatëqind mijë euro, nëse këto para janë luajtur në treg. Reputacioni i bankës “Reifeissen” nuk ta do kurrsesi ta mendosh këtë variant, por eksperienca me disa banka greke në vitet e mëparshme ka treguar se nuk janë pak rastet, edhe pse të pavërtetuara, kur është luajtur në mënyra gjysmë apo fare të paligjshme në tregjet informale të valutës me paratë e depozituesve shqiptarë. Mirëpo nuk mund të pranohet kurrsesi që “të zgjuar (menaxherë shqiptarë apo të huaj)” në këtë bankë austriake që ka marrë shërbimet e gati të gjitha institucioneve publike shqiptare, për të kryer nëpërmjet bankës pagesat e punonjësve, të luajnë me hallet e problemet e buxhetorëve. Menaxherët e huaj të kësaj banke e kanë për detyrë të shpjegojnë publikisht pse shumica e bankomatëve të tyre në kryeqytet (por edhe në qytete të tjera) nuk kanë punuar për klientët këto ditë, dhe të kërkojnë falje publike e të premtojnë që të tilla vonesa e parregullsi skandaloze nuk do të ndodhin në të ardhmen. Nëse nuk do ta bëjnë, atëherë hija e dyshimit për “lojëra të fëlliqura” me paratë e buxhetorëve shqiptarë do të bjerë edhe mbi ta.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›