Mania “Damir Fazlliç”
Mund të thirrej me çfarëdolloj emri. Mund të ishte nga çfarëdolloj vendi. Por kjo nuk do ndryshonte asgjë. Ai quhet Damir Fazlliç dhe origjina e tij është serbo-boshnjake dhe është një biznesmen si gjithë biznesmenët e botës që dëshiron të bëjë biznes atje ku ai e sheh me leverdi. Kjo është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. Por edhe shumë e thjeshtë për të mos u kuptuar për ata që nuk duan. Mund të jetë mik i Berishës apo edhe i Bashës. Të them të drejtën, edhe unë do të doja të isha mik me Berishën e Bashën dhe këtu nuk ka asgjë të keqe nëse do të ishte në të mirë të punës sime. Sa biznesmenë të huaj në vendin tonë kanë marrëdhënie me njerëzit e qeverisë? Besoj se shumica po. Pra, nuk është vetëm Fazlliçi. Ka edhe italianë, gjermanë, anglezë apo edhe maqedonas e grekë që për hir të punës së tyre u ka rastisur të takohen me Berishën, Rulin apo ministra të tjerë. Atëherë, pse kryefjalë e gjithë këtij debate bëhet Fazlliçi? Arsyetimi është se Fazlliçi ka kryer afera të pista në Shqipëri. Nëse e marrim të mirëqenë këtë fakt, atëherë nuk do të shkruaja këto pak radhë për këtë njeri që, në fund të fundit, vazhdon pa e vrarë mendjen jetën e tij larg Shqipërisë. Por deri tani nuk kam gjetur qoftë edhe një provë të vetme që e vërteton këtë. Nuk kam parë asnjë lloj dokumenti që vërteton favorizimin që i është bërë kompanisë “Rudnap” për blerjen e energjisë, po ashtu, as për shitjen e kompanisë së Fazlliçit një firme qipriote. Madje, kam parë dokumente që vërtetojnë të kundërtën. Nuk dua të replikoj me kolegët gazetarë, pasi detyra e tyre, si edhe e imja, është të ofroj fakte për publikun, por të them të drejtën, unë nuk kam parë deri tani fakte. Thuhet se Fazlliçi është mafioz apo me lidhje të forta me klanin e Zemunit, por ai nuk është një njeri që fshihet dhe deri tani në adresë të tij nuk ka pasur asnjë hetim apo mandat arresti në lidhje me këto akuza, madje as për vrasjen e Zoran Gjinxhiçit. Nëse do kishte fakte për këto akuza, do ishte e kotë të merreshim me këtë histori, pasi nuk do na ngelej ne të hetonim apo arrestonim Fazlliçin. Nuk do merreshim sepse ai nuk do të vinte në Tiranë si një qytetar i lirë që kalon në disa dogana ballkanike për të mbërritur në vendin tonë. Por zakoni ynë për të krijuar mite e mani është shumë më i fortë sesa vetë faktet. Të jemi të ndërgjegjshëm për një fakt, se vetë Fazlliçi nuk është duke e shqetësuar kaq shumë veten për ato që thuhen në Shqipëri. Ai vazhdon biznesin e tij në korridorin Sarajevë-Londër duke mos i hyrë në kokë asgjë nga ato që shkruhen e thuhen në Tiranë. Dhe ne si njerëz që kanë hobi manitë lëmë çdo gjë, madje edhe punët tona të përditshme, për t’u marrë me një njeri që gjithsesi nuk na përket. Në Parlament presim prej disa muajsh të mësojmë fatin e reformës zgjedhore, ligjin e SHKB-së apo ligje të tjera që kanë rëndësi jetike për vendin tonë e të ardhmen e reformave që janë përcaktuese për integrimin euroatlantik. Por sapo shfaqen mani të tipit Fazlliç, i harrojmë të gjitha dhe zhytemi në baltën e akuzave, kundërakuzave dhe replikave në Parlament. Nga deputeti im i zonës do të preferoja të dëgjoja më shumë për hallet e përditshme. Do të doja të dëgjoja më shumë për reformat dhe më shumë për dritat, ujin, rrugët apo ekonominë. Nuk është halli ynë Fazlliçi. Nuk ishin as Fazlliçët e tjerë që kanë dalë ndër vite dhe as nuk do të jenë përderisa kemi ato halle që përbëjnë çdo ditë jetën tonë. Ne nuk ua lamë asnjëherë organeve kompetente t’i bëjnë këto punë, por marrim shpatën në dorë e fillojmë e bëhemi hetues, prokurorë e gjykues. E bëmë edhe me Trebickën dhe në fakt u nxituam, pavarësisht dyshimeve. Është ndoshta më mirë të lëmë këto mani dhe të merremi me jetën tonë, e cila është shumë më e rëndësishme sesa jeta e Fazlliçit. Pas një muaji, mania Fazlliç do të tretet. Në Shqipëri çudia më e madhe aq zgjat. Po pastaj? Do të duhet të fillojmë sërish nga e para me një mani tjetër? Ndoshta, por nëse vrapojmë pas manive, do të na duhet shumë kohë të rimarrim rrugën e kujdesit për veten tonë.