OSBE – BE: Zgjedhjet, të rregullta, opozita të kthehet në parlament
Ambasadori Bosch, raporton përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE në Vjenë rreth zhvillimeve politike në Shqipëri
OSBE dhe BE, i bëjnë thirrje zyrtarisht Partisë Socialiste t’i japë fund bojkotit dhe të kthehet në parlament për të certifikuar bashkëpunimin me mazhorancën për reformat integruese të vendit në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Apelet e ambasadorit Bosch dhe përfaqësuesve të BE-së, përkojnë me qëndrimin zyrtar të mazhorancës lidhur me rregullsinë e zgjedhjeve. Brukseli zyrtar e konsideron të pakuptimtë qëndrimin e PS-së dhe shpreh zotimin për bashkëpunim efiçent me qeverinë “Berisha”.
Leonard Quku
OSBE dhe BE në unison i bëjnë thirrje Partisë Socialiste të ndërpresë bojkotin e parlamentit dhe t’i rikthehet normalisht jetës politike. Përmes një raporti të gjatë të prezantuar përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, kreu i prezencës në Tiranë, Robert Bosch, i apeloi sërish opozitës, për t’u bërë pjesë e realizimit të reformave dhe debatit konstruktiv në sallën e kuvendit. Duke iu referuar në mënyrë të veçantë ngjarjes më të rëndësishme, për vendin, mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Bosch vlerësoi se ato ishin më të mirat e mbajtura ndonjëherë në Shqipëri.
Në këtë kuadër, kreu i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka vërejtur përpara anëtarëve të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, se pjesa dërrmuese e pretendimeve të Partisë Socialiste për parregullsi dhe shkelje të vërejtura, para dhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve kanë rezultuar të pavërteta dhe false.
Bosch thekson se duke pasur parasysh numrin dhe natyrën e rasteve të raportuara nga Partia Socialiste që i përkisnin regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, pasaktësive në listat e zgjedhësve i hidhnin poshtë këto pretendime. Shqetësimet e PS-së, vijon në raportin e tij Bosch, rreth kapaciteteve për prodhimin e një numri të mjaftueshëm kartash ishin në pjesën më të madhe të pabazuara, ashtu sikurse edhe pretendimet e saj për ndërhyrje të Partisë Demokratike (PD) në “procesin e kartave të identitetit”.
Gjatë diskutimit të raportit vjetor të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në mbledhjen e radhës së Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Ambasadori Robert Bosch vlerësoi arritjet e vendit në të gjitha fushat e mandatit të Pranisë. Por, për një efiçiencë në rritje të vendit, Bosch thekson se është e nevojshme që forcat politike të punojnë së bashku në emër të BE, duke kundërshtuar kështu linjën bojkotuese të opozitës dhe Edi Ramës. Po ashtu, edhe përfaqësuesi i Suedisë, gjatë një ndërhyrjeje, në emër të BE-së u shpreh se, “për të avancuar në rrugën ambicioze të anëtarësimit në BE, të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku dhe të ngrihen përtej politikave të ngushta partiake”.
“Zhvillimi i dialogut politik në Parlament është një element kyç i demokracisë. Ftojmë të gjitha partitë politike në Shqipëri që të zhvillojnë një dialog politik pozitiv”, thekon në deklaratën e tij, përfaqësuesi i BE-së.
Gjithashtu, në deklaratën e BE-së shprehet kënaqësia për zhvillimet inkurajuese në Shqipëri gjatë vitit 2009 dhe avancimin pa pengesa në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asocimit.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe përfaqësuesi i SHBA-ve në OSBE, i cili nënvizoi arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit Euro-Atlantik - përfshirë aderimin në NATO, aplikimin për t’u anëtarësuar në BE dhe përmirësimet e prekshme në zgjedhjet e 28 qershorit - meritojnë vlerësim.
“Pavarësisht klimës aktuale ekonomike - u shpreh ai - Shqipëria josh investime të huaja në rritje, ka avancuar në procesin e privatizimit dhe vërehen përmirësime të mëtejshme në klimën e biznesit, siç është theksuar nga Banka Botërore dhe IFC-ja”.
Ndërkaq, në vijim e raportimit të tij, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, vlerësoi dhe KQZ-në për punën.
Duke u ndalur në mënyrë të detajuar në të gjithë ecurinë e procesin parazgjedhor dhe atë zgjedhor, Bosch jep rekomandimet e tij për opozitën shqiptare.
Sipas tij bojkoti i opozitës duhet të marrë fund pasi kryeministri Berisha thotë ambasadori i prezencës së OSBE, ka shprehur publikisht gatishmërinë e tij për të arritur deri diku një kompromis, duke i ofruar PS-së shumicën e anëtarëve të çfarëdolloj komisioni që mund të krijohet për hetimin e zgjedhjeve të qershorit, sipas kërkesës së PS-së, me kusht që të mos shkelej ligji.
Duke cituar kryeministrin Berisha ai vijon më tej duke thënë se kreu shqiptar i ekzekutivit, i vetëdijshëm për faktin se KQZ-ja e kishte mbyllur me konsensus procesin zgjedhor, i bëri thirrje PS-së që t’ia paraqiste çfarëdolloj ankese që mund të kishte Prokurorisë, si i vetmi organ me kompetencë ligjore për t’u marrë me këtë çështje në këtë fazë. Propozim i hedhur poshtë nga kryesocialisti Rama që këmbëngul në kërkesën e tij për hapjen e kutive të votimit, duke shkuar dhe më tej me bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit.
Duke vijuar raportimin me ngjarjet e pritshme, gjatë vitit të ardhshëm, ambasadori e sheh 2010 si një vit që do të jetë me rëndësi të veçantë për aspiratat e vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Ai e sheh si shumë pozitive koalicionin e ri qeverisës mes PD dhe LSI, një koalicion i cili realizohet për herën e parë në historinë e politikës shqiptare, kur dy parti politike me prejardhje të kundërta ideologjike bashkohen për të qeverisur vendin.
Në lidhje me planin e integrimit, vlerëson Bosch pritet të shihet një përpjekje e qartë për të ecur përpara me reformat. Por ai sheh si parakusht për suksesin kombëtar rivendosja e konsensusit ndërpartiak për çështje me rëndësi kombëtare që ka ekzistuar deri në pranverën e vitit 2009. Duke pasur parasysh bojkotin aktual të Kuvendit nga PS-ja, Bosch thekson se partive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik, përfundon ai për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare.
Zhvillimet kryesore politike në Shqipëri
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 “përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së” dhe “shënuan një
progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit,
kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i
përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore”.
Robert Bosch raporton se fushata zgjedhore u zhvillua në një atmosferë të qetë, por prapëseprapë, sipas tij, të polarizuar.
Sipas Ambasadori Bosch, KQZ miratoi rezultatin, ndërsa opozita bojkotoi kuvendin në shenjë proteste. Më 1 gusht 2009, KQZ-ja miratoi njëzëri rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, ku koalicioni i drejtuar nga PD-ja fitoi 70 vende në Kuvend, koalicioni i drejtuar nga PS-ja 66 vende, dhe koalicioni i drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 4 vende, raportoi Bosch.
Ndërsa PD dhe LSI formuan qeverinë e re, nga ana tjetër, PS-ja ka zgjedhur që t’i bojkotojë të gjitha seancat e Kuvendit të ri, pas vendimit që ajo ka marrë për ta kushtëzuar hyrjen e saj në parlament me plotësimin e disa kushteve të lidhura me procesin zgjedhor. Deri më sot, nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky bojkot. Më 9 tetor 2009, Kryeministri shprehu publikisht gatishmërinë e tij për të arritur deri diku një kompromis, duke i ofruar PS-së shumicën e anëtarëve të çfarëdolloj komisioni që mund të krijohet për hetimin e zgjedhjeve të qershorit, sipas kërkesës së PS-së, me kusht që të mos shkelej ligji, mësohet të jetë shprehur midis ët tjerave Robert Bosch.
Në lidhje me antikorrupsionin, Bosch bëri të ditur se, Shqipëria ka ndërmarrë disa reforma, siç është miratimi i Strategjisë për Parandalimin dhe Luftën ndaj Korrupsionit dhe Qeverisjen Transparente 2007- 2013, si dhe miratimin e një numri të konsiderueshëm ligjesh, në përputhje me legjislacionin e BE-së. Qeveria ka krijuar, gjithashtu, një sistem on-line për regjistrimin e bizneseve dhe prokurimet. Politika e decentralizimit, që vazhdon në vend, siguron mundësi monitorimi përmes angazhimit të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes në nivel vendor. Janë vendosur, gjithashtu, masa më të rrepta për kontrollin e pasurive të zyrtarëve publikë. Sfidues vazhdon ende të mbetet zbatimi efektiv i legjislacionit kundër korrupsionit dhe një bashkërendim më i mirë nevojitet ndërmjet institucioneve publike përgjegjëse për këtë çështje.
Veprimtaritë programatike gjatë vitit të kaluar vazhduan të përqendrohen te reforma zgjedhore, reforma e regjistrit të gjendjes civile, forcimi i kapaciteteve të Kuvendit, barazia gjinore, shoqëria civile dhe media, shtoi më tej Bosch. Sa i përket reformës zgjedhore, në përgatitje për zgjedhjet parlamentare, Komisioni i Posaçëm i Kuvendit për Reformën Zgjedhore u asistua në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor.
E ardhmja, viti 2010 i rëndësishëm për Shqipërinë
Viti 2010 do të jetë me shumë të ngjarë një tjetër vit i rëndësishëm për aspiratat e
vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, raportoi më tej Ambasadori i OSCE, Robert Bosch.
Është hera e parë në historinë e politikës shqiptare që dy parti politike me prejardhje të kundërta ideologjike bashkohen në një koalicion. Në lidhje me planin e integrimit, pritet të shihet një përpjekje e qartë për të ecur përpara me reformat. Një parakusht për suksesin kombëtar ka për të qenë rivendosja e konsensusit ndërpartiak për çështje me rëndësi kombëtare që ka ekzistuar deri në pranverën e vitit 2009.
Duke pasur parasysh bojkotin aktual të Kuvendit nga PS-ja, mënyra se si do të arrihet një konsensus i tillë, e për më tepër, si do të ruhet ai me kthimin e PS-së, përbën një pikë diskutimi interesante. Partive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare.
Megjithëse kjo do të thotë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv për qeverinë, ajo nënkupton, gjithashtu, se edhe opozita duhet të luajë një rol konstruktiv.
Pa të, sfidat e vërejtura në qershor do të vazhdojnë, së bashku me ciklin e zgjedhjeve “jo edhe aq të mira”.
Klasës politike i duhet të garantojë tashmë mbylljen përfundimisht të këtij cikli. Sidoqoftë, marrëdhënia më e afërt se kurrë mes Prezencës dhe vendit pritës do të ushqehet më tej dhe asistenca teknike do të vazhdojë të bazohet te mandati aktual i Prezencës për t’i dhënë vendit pritës të gjithë mbështetjen e nevojshme dhe për të punuar drejt përmbushjes së të gjitha angazhimeve të OSBE-së.