E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Rama nuk po bënë opozitë, bojkoti i zgjedhjeve në 2011 kërcënon zhdukjen e PS-së”

Ben Blushi paralajmëron thyerjen e bojkotit të Parlamentit

Deputeti kritik i Edi Ramës, Ben Blushi deklaron se PS po del jashtë sistemit, duke u investuar fuqishëm nga Edi Rama. Deputeti socialist paralajmëron një fund tragjik për PS-në, vendimet e bojkoteve të së cilës merrem nga 6-të jo parlamentarë, nga Rama deri te Ngjela. Blushi bën me dije gjithashtu se shumë shpejt ai dhe bashkëpunëtorët e tij, do të futen në parlament.

Deputeti dhe anëtari i “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, Ben Blushi, u shpreh mbrëmë gjatë emisionit televiziv në “Opinion” se Partia Socialiste është pranë shkatërrimit si forcë politike në vend. Ky qëndrim i Blushit niset nga vendimet e fundit të Edi Ramës, i ndihmuar nga disa jo parlamentarë të tjerë, në përbërje të të cilëve bie në sy edhe Spartak Ngjela.
Deputeti më kritik i vendimeve flagrante, tendencioze dhe të dyshimta të Edi Ramës, Ben Blushi, deklaroi se mos futja e PS-së, në zgjedhjet lokale të 2011-ës, rrezikon në mënyrë serioze mos ekzistencën për vitet në vijim të kësaj force politike.
“Them me bindje të plotë se nëse PS nuk futet në zgjedhjet e 2011-ës, atëherë ajo nuk do të ekzistojë më si parti politike. Ne jemi pranë një shpërbërje përfundimtare. Druhem se nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Çuditërisht një njeri që nuk është në parlament, Spartak Ngjela, tha se ne i kemi vënë një kusht Edi Ramës, se, nëse futet PS-ja në zgjedhjeje, ne nuk do të bashkëpunojmë me të... Pikërisht këtë e thotë një njeri që nuk është në parlament. Të njëjtën gjë tha edhe Paskal Milo. Vendimin për bojkotin e zgjedhjeve nga PS e kanë marrë 6 kryetar partish që nuk janë në parlament. Kjo është një shumicë qorre që merr vendime të gabuara. Bojkoti i Zgjedhjeve të pjesshme lokale, ai i pritshëm për zgjedhjet e përgjithshme lokale, është për arsye të brendshme të PS-së. PS i ka humbur zgjedhjet e 28 qershorit, pavarësisht nga parregullsitë në zona të ndryshme, këtë e kam thënë 3 ditë pas procesit. Ne jemi në opozitë se nuk fituam. Rama u bë kryetar partie duke mos premtuar kthimin e PS-së në pushtet. Ai nuk kishte asnjë platformë për këtë dhe as për reformimin e PS-së. Ai premtoi vetëm një gjë: bojkot të parlamentit dhe po e mban këtë gjë. Ai mendon se parlamenti është një institucion i panevojshëm. Ai tha se, kjo është një gjë që nuk më duhet se, nuk është vetë deputet”, u shpreh Blushi.
Ai bëri me dije gjithashtu se, duke zgjedhur bojkotin, PS vendosi t’i falë qeverisë 5 bashki dhe komuna në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit.
Deputeti Blushi paralajmëroi gjithashtu se shumë shpejt, ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë do t’i drejtohen derës së Kuvendit. Blushi dha këtë siguri, nisur nga detyrimet morale dhe ligjore që, ai dhe deputetë të tjerë të PS-së kanë ndaj elektoratit dhe Kushtetutës së vendit.
“Herët a vonë dikush do ta thyejë embargon. Ne do t’i drejtohemi sallës së Kuvendit. Do të vijë shumë shpejt ky moment. Mandati i një deputeti skadon në 6 muaj, që është kufiri kushtetues dhe unë nuk kam ndërmend të djeg mandatin që më kanë dhënë votuesit. Ky është mendimi i më shumë se gjysmës së grupit parlamentar. Nuk mund të flas me emra, por ka shumë njerëz, miq, kolegë, që më thonë pikërisht këtë gjë, të flas më shumë, në mënyrë që të hyjmë në parlament. Këtë e thotë edhe faktori ndërkombëtar. Edi Rama e imponon PS-së, për shumë arsye, të cilat i kemi bërë të ditura”, u shpreh Blushi.
Pë rsa i takon, hapjes së kutive, Blushi tha se kjo nuk ka lidhje me bojkotin e  parlamentit. Sipas tij, kjo çështje mund të kërkohej në sallën e parlamentit. “PS kërkoi hapjen e kutive tre muaj pas mbylljes së procesit. Hapja e kutive nuk ka lidhje me hyrjen në parlament. Ne mund të hyjmë në parlament dhe ta kërkojmë atje hapjen e kutive.
Parlamenti funksionon me shumicë. Aty janë më shumë se 71 deputetë, gjithçka po funksionon aty”, tha Blushi.
Ai theksoi më tej, anëtarët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe” në PS, janë shpallur heretikë dhe të padëshiruar. “Ne jemi shpallu 5 heretikë në grupin parlamentar. Jemi njerëzit me të cilët, PS merret më shume se, me qeverinë”, theksoi më tej, deputeti Ben Blushi.
L. Q.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›