E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të vijojmë bojkotin deri në hapjen e kutive

Partia Socialiste do të vijojë bojkotin dhe do të përshkallëzojë protestat, por nuk do të kërkojë vetëm hapjen e kutive siç ka bërë deri më tash por dhe largimin e kryeministrit Berisha. Në përfundim të ultimatumit 10 ditor, vendimi i është bërë i ditur deputetëve të grupit parlamentar socialist si dhe kryetarëve të Partisë në rrethe nga kryesocialisti gjatë takimit të thirur në mesditë ku është vënë re pas disa mungesash dhe prania e depuetëve Blushi e Malaj, të njohur këta si kundërshtarët e bojkotit kuvendor.
“Ne nuk do të hyjmë kurrë në Parlament pa u shprehur vullneti i qartë i votuesve të 28 Qershorit. Qeveria dhe Kuvendi jane dy institucione pa legjitimitet. Me prekjen e votës së popullit filloi humbja e Berishës. Berisha hap kutitë, ose largohu. Ne sot nuk do kërkojmë thjesht kutitë, por largimin e Saliut. Ose hap kutitë ose Berisha largohu. Kjo do jetë motoja jonë e ardhshme. Kryeministri nuk arriti të reflektojë në 10 ditët, të dhëna në emër të forcës së arsyes dhe jo arsyes së forcës.”
Në fjalimin disa minutësh Rama ka hedhur një sërë akuzash për kryeministrin dhe familjen e tij, ndërsa në përgjigje të deklaratës së djeshme të kreut të ekzekutivit i kërkoi deputetëve të tij të bëjnë kallëzim në organin e akuzës për ato që ai i quajti shpifje.
“Në emër të Partisë Socialiste, Rama ftoi të gjithë ata që i cituan nga Berisha ta padisin kryeministrin për shpifjet. Më lejoni që si kryetar i kësaj partie të madhe dhe si kryetar që vite më parë luftuam për demokracinë së bashku me ata deputetë që dje u përfolën nga fjalët përvëluese të kryeministrit, kërkoj publikisht që ta padisni Sali Berishën publikisht njëri pas tjetrit.”
Pas grupit parlamentar pritet që Rama pasdite të mbledhë dhe aleatët e tij për t’iu komunikuar vendimin për përshkallëzimin e protestave që synojnë rrëzimin e qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›